Fillon zyrtarisht stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”

Në stërvitje do të marrin pjesë trupa nga Shqipëria, Turqia, ShBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.

Ka filluar zyrtarisht stërvitja ushtarake “Defender Europe 21“, e cila do të zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit me pjesëmarrjen e trupave nga disa shtete.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në rrjetet sociale ka publikuar një njoftim rreth stërvitjes, ku thekson se është stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, e cila sipas ambasadës fillon zyrtarisht sot.

“Me kënaqësi shoh anijen e marinës së Shteteve të Bashkuara “Bob Hope” që ka mbërritur në Durrës. “Bob Hope” është një anije furnizimi që mban më shumë se 800 pjesë pajisjesh për t’u përdorur në stërvitje. Dy anije të tjera do të bashkohen me stërvitjen”, thekson ambasada amerikane, duke cituar ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Sipas autoriteteve shqiptare, në stërvitje do të marrin pjesë trupa nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.

Po sipas autoriteteve nga Shqipëria, stërvitja në fjalë është e rëndësishme pasi rrit dhe teston aftësinë dhe gatishmërinë operacionale të forcave aleate si dhe mundëson komunikimin dhe ndërveprueshmërinë midis trupave nga vende të ndryshme.

Në stërvitjen e përbashkët shumëkombëshe do të angazhohen mijëra trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, anije, avionë, helikopterë, sisteme raketash patriot dhe automjete joluftarake.

Kategoritë
BotaLajme