Flet djali i shoferit të vdekur në aksidentin në Kroaci: 3-4 ditë rrugë, vetëm një natë pushim

Dhjetë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur këtë  të dielën, pas daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci. Nga aksidenti tragjik mëngjesin e sotëm në Kroaci humbi jetën dhe njëri prej shoferëve, Naser Sylmetaj.

Adhurim Sylmetaj (i biri i Naser Sylmetajt), nga fshati Gërçinë në afërsi të Gjakovës, ka thënë se babai i tij ka rreth tetë muaj që ka filluar punën në këtë kompani.

“Janë nisur para 3-4 ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, menjëherë, veç atë mbrëmje kanë pushuar dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë”, tha Sylmetaj për REL.

“Herën e fundit kur kam folur me të ka qenë në momentin kur e kaluar kufirin Gjermani-Austri”, ka thënë Sylmetaj.

Ai po ashtu ka reaguar edhe përmes një shkrimi në Facebook.

“Ah mar bab, dhimbja shumë e madhe malli shumë i madh, atë ditë kur t`kam çu tek autobusi t`kam përqaf po pak bre. Ishalla zoti n`xhenet” shkruan Adhurimi, djali i shoferit Naser Sylmetaj.

Shoferi i autobusit që shkaktoi tragjedinë në Kroaci ku humbën jetën 10 shqiptarë të Kosovës dhe mbi 40 mbetën të plagosur është arrestuar.

Ministria e Jashtme në Prishtinë deklaroi zyrtarisht se nga aksidenti tragjik në Kroaci kanë humbur jetën 10 shqiptarë të Kosovës, 44 kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve, ndërsa 15 janë në gjendje më të rëndë për jetën.

Kategoritë
LajmeVendi