Flet kreu i qendrës shëndetësore Manëz, pas vdekjes së tre kosovarëve në Gjirin e Lalzit

Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti janë tre pjesëtarët e familjes nga Gjilani, banues në Gjirin e Lalzit, të cilët humbën jetën në Shqipëri, si pasojë e helmimit nga kërpudhat. Ngjarja zë fill që të mërkurën e kësaj jave, kur ata paraqitën simptoma të rënda helmimi, pasi konsumuan kërpudha që i kishin mbledhur vetë në Gjirin e Lalzit. Por pavarësisht gjendjes së keqe shëndetësore, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti ndjenjën në shtëpi, duke u drejtuar për në ambulancën e Manzës të enjten në mëngjes, pasi qëndruan 6 orë me dhimbje të forta barku.

Pas mjekimit në ambulancë, ata u dërguan më pas sërish në shtëpi, por gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar edhe më tej, ku janë transportuar më pas drejt spitalit të Durrësit. Pasi nuk po përmirësoheshin, ata u transportuan drejt Tiranës, ku humbën jetën të premten, ndërsa për ngjarjen u raportua vetëm ditën e djeshme.

Pritet ekspertiza për të sqaruar çfarë ka ndodhur realisht me tre pushuesit, ndërsa policia ka proceduar penalisht dy mjekët e qendrës shëndetësore në Manzë, mjekun Shyqyr Beqajn 54 vjeç  dhe Jonuz Karajn, 60 vjeçar, për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.

Kreu i qendrës shëndetësore të Manzës, Anesti Kamberi në një prononcim për Report Tv tha shkurt se janë ndjekur të gjitha protokollet dhe nuk ka pasur asnjë neglizhim nga mjekët për rastin tragjik të 3 anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani.

“Janë ndjekur të gjitha protokollet, dhe nuk ka pasur asnjë neglizhencë nga mjekët” tha shkurt mjeku për gazetarin Arsen Rusta.

Ndërkohë, gazetari Arsen Rusta bën me dije se në dëshminë e tyre, jashtë kamerave, dy mjekët e proceduar janë shprehur se ata i mjekuan të tre personat sipas protokollit, me serum e vitamina, ndërsa theksojnë se vdekjet janë të dyshimta, duke kërkuar nisjen e hetimeve. Sipas mjekëve, ata kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit, me një diferencë prej 24 orësh.

Rezulton se ka ngordhur edhe qeni i familjes Haliti, që e kishin marrë me vete në shtëpinë  e pushimit në Gjirin e Lalzit, që dyshohet se mund të ketë ngrënë mbetje të ushqimit që mund t’i kenë sjellë vdekjen tre anëtarëve të kësaj familje.

Familja Haliti, gjyshja Elfete 78 vjeçe, djali i saj Afrimi 56 vjeç dhe gruaja e tij, Ferzinaze, 57 vjeçe, do të përcillen sot për në banesën e fundit, ndërsa lajmi u bë i ditur djali i Afrimit, Haki Haliti.

Kategoritë
LajmeVendi