Flet mjeku që shpëtoi Eriksen: Iu ndal pulsi, për fat të mirë e mbajtëm gjallë

Christian Eriksen është mirë, rreziku për jetën ka kaluar, gjendja shëndetësore është e stabilizuar, 29-vjeçari është i vetëdijshëm, shokëve të kombëtares i kërkoi që të zbrisnin në fushë për të përfunduar takimin me Finlandën, teksa ka dërguar edhe një mesazh në grupin Whatsapp të Interit.

Ndihem mirë, shpresoj të kthehem sa më shpejt“, lexohej në rreshtat e mesfushorit ofensiv, fjalë që kanë qetësuar shpirtrat e trazuar të zikaltërve dhe gjithë tifozëve. Shumë frikë shkaktoi shembja e tij në minutën e 43-të të takimit të Euro 2020 mes Danimarkës dhe Finlandës.

Eriksen pësoi një arrest kardiak, kapiteni Kjaer ishte i pari që ndërhyri duke i bërë një masazh kardiak, ndërsa më pas e morën situatën në kontroll stafi mjekësor. Kryemjeku i kombëtares daneze, Morten Boesen rrëfen se si i shpëtoi jetën futbollistit të Interit.

U thirrëm të futeshim në fushë që në momentin që Eriksen u rrëzua. Ishte e qartë që ai kishte humbur ndjenjat. Sapo iu afruam vura re që po merrte frymë, i ndjeva rrahjet e tij të zemrës. Pastaj, papritmas, nuk kishte më pulsime dhe, siç e pamë të gjithë, filluam masazhin e zemrës.

Shpëtimi ishte i menjëhershëm, stafi bëri punën e vet, por na ndihmuan edhe lojtarët. Ne bëmë atë që mundëm për ta mbajtur gjallë. Për fat të mirë, ia dolëm ta shpëtojmë Eriksen, ai iu bashkua jetës“, deklaroi Boesen në konferencën për shtypin pas përfundimit të derbit nordik mes Danimarkës dhe Finlandës, me këta të fundit që fituan 0-1.

Kategoritë
Sport