Forcat izraelite bombardojnë një shtëpi në Gaza, vrasin 8 fëmijë dhe 2 gra

Masakra e radhës izraelite ndaj civilëve palestinezë ndodhi në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të Gazës.

Forcat ajrore izraelite kryen një masakër të re ndaj palestinezëve natën e kaluar, duke goditur me një predhë një shtëpi në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të Gazës, duke vrarë dhjetë civilë, përfshirë tetë fëmijë dhe dy gra, raporton Anadolu Agency (AA).

Një raketë izraelite shkatërroi plotësisht një shtëpi palestineze me dy apartamente, kurse nga rrënojat u nxorën trupat e dhjetë viktimave.

Nga ky sulm mbetën të vrarë Yasemin Hassan (31), Yamin (5), Bilal (10) dhe Yusuf (11) nga familja Abu Hatab, pastaj Muha (36), Abdurrahman (8), Suheyb (14) dhe Yahya (11) nga familja Al-Hadidi.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënojat për viktima të tjera të mundshme.

Zëvendësministri i Shëndetësisë në Gaza Yusuf Abu Rish deklaroi sot se vetëm një foshnjë dymuajshe i mbijetoi sulmit në shtëpinë e familjes Al Hatab. Ai theksoi se fjala masakër është e pamjaftueshme për të përshkruar mizoritë e këtij sulmi izraelit.

Palestinezët në Kuds kanë protestuar për ditë me radhë në lidhje me bastisjet izraelite dhe vendimet e gjykatës për të dëbuar familjet palestineze nga lagjja Sheikh Jarrah. Tensionet u përshkallëzuan pasi forcat izraelite kryen sulme ndaj besimtarëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa më 7 maj.

Forcat izraelite kanë kryer sulme të ashpra në Rripin e Gazës të bllokuar që prej 10 majit. Deri më tani, të paktën 139 palestinezë janë vrarë në sulme, duke përfshirë 39 fëmijë dhe 22 gra. Të paktën 950 njerëz janë plagosur.

Kategoritë
BotaLajme