Forcat izraelite ndërhynë ndaj palestinezëve që protestuan kundër dëbimit dhe shembjes

Shumë familje palestineze që banojnë në lagjen Silwan në jug të Mesxhid Al-Aksasë përballen me rrezikun e humbjes së shtëpive të tyre për shkak të politikave izraelite të shembjes dhe zhvendosjes

Policia izraelite ndërhyri ndaj palestinezëve të cilët organizuan një protestë kundër zhvendosjes dhe shembjes së ndërtesave palestineze në lagjen Silwan të Kudsit Lindor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Shumë palestinezë u mblodhën në lagjen Silwan për të protestuar ndaj politikës izraelite të shembjes dhe dëbimit.

Policia izraelite ndërhyri me gaz lotsjellës dhe bomba tymosëse ndaj grupit që deshi të protestonte pas namazit të xhumasë në Silwan.

Ndërkaq, palestinezët u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë.

Ndryshe, shumë familje palestineze që banojnë në lagjen Silwan në jug të Mesxhid Al-Aksasë përballen me rrezikun e humbjes së shtëpive të tyre për shkak të politikave izraelite të shembjes dhe zhvendosjes.

Gjithsej 725 persona nga 86 familje në zonën Batin Al-Hawa të lagjes Silwan dhe 1.550 persona të zonës Al-Bostan rrezikohen të mbesin pa shtëpi.

Izraeli kërkon që disa shtëpi palestineze në Batin Al-Hawa të evakuohen me arsyetimin se ato janë ndërtuar në “tokë hebreje”.

Në rajonin e Al-Bostan, Izraeli planifikon të shkatërrojë disa shtëpi dhe dyqane me arsyetimin se nuk kanë leje.

Palestinezët thonë se lagjja Silwan po sulmohet nga Izraeli sepse ndodhet në jug të Mesxhid Al-Aksasë dhe strehon një numër të madh palestinezësh.

Kategoritë
BotaLajme