Franca e cilëson “tradhti” anulimin e blerjes së nëndetëseve franceze nga Australia

Duke theksuar se është i zemëruar dhe se Australia ka kryer një veprim jo të përshtatshëm me aleancën, ministri Le Drian tha se “Me të vërtetë jemi qëlluar pas shpine. Kishim krijuar një marrëdhënie besimi me Australinë dhe ky besim u tradhtua”

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, reagoi duke u shprehur se janë “qëlluar pas shpine” kur Australia anuloi blerjen e nëndetëseve franceze dhe arriti marrëveshje me SHBA-në dhe Britaninë për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për kanalin France Info, Le Drian, reagoi ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit australian, Scott Morrison, se kanë anuluar blerjen e 12 nëndetëseve nga kompania franceze Naval dhe që kanë arritur dakordim me SHBA-në dhe Britaninë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Duke theksuar se është i zemëruar dhe se Australia ka kryer një veprim jo të përshtatshëm me aleancën, Le Drian tha se “Me të vërtetë jemi qëlluar pas shpine. Kishim krijuar një marrëdhënie besimi me Australinë dhe ky besim u tradhtua”.

Negociatat me Australinë filluan në vitin 2014 dhe përfunduan me një marrëveshje në vitin 2016 rikujtoi Le Drian, duke shtuar se lidhur me çështjen presin deklaratë nga Australia dhe SHBA-ja.

 “Vendim i paparashikueshëm” si Trump

Le Drian, kritikoi edhe administratën e Washingtonit nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, duke pretenduar se ky “vendim i njëanshëm, i vrazhdë dhe i paparashikueshëm” i rikujton sjelljen e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Liderët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë njoftuan krijimin e një bashkëpunimi të ri të sigurisë të emërtuar “AUKUS” dhe se në kuadër të kësaj, SHBA-ja dhe Britania do të ndajnë me Australinë teknologjinë e nëndetëseve me energji bërthamore.

Marrëveshja e re e partneritetit të emërtuar “AUKUS” që përbëhet nga shkurtimet në anglisht të emrave të tre vendeve palë në marrëveshje, në të njëjtën kohë i sjell fundin edhe projektit për nëndetëset franceze me një vlerë 90 miliard dollarë që parashikon ndërtimin e 12 nëndetëseve dhe të cilin qeveria e Australisë e nënshkroi me kompaninë franceze në vitin 2016.

Edhe kompania franceze Naval Group duke reaguar ndaj përfundimit të projektit që ishte planifikuar të zhvillohej në qytetin Adelaide të Australisë, njoftoi se është zhgënjyer që qeveria australiane ka pezulluar projektin.

Kategoritë
BotaLajme