“Franca mund të ketë arritur kulmin e valës së 5-të të COVID-19”

“Duket se kemi arritur një kulm epidemie në vendin tonë, një kulm shumë i lartë, 50 mijë infektime në ditë tani. Është më e larta që kemi përjetuar që nga fillimi i pandemisë”, tha ministri Veran në Asamblenë Kombëtare.

Franca mund të ketë arritur kulmin e valës së pestë epidemike të koronavirusit të ri (COVID-19), tha të martën ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, ndërsa ekspertët e shëndetësisë parashikuan fillimin e valës së gjashtë në janar.

“Duket se kemi arritur një kulm epidemie në vendin tonë, një kulm shumë i lartë, 50 mijë infektime në ditë tani. Është më e larta që kemi përjetuar që nga fillimi i pandemisë”, u tha Veran ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare.

Veran tha se kriza shëndetësore e vendit ka të ngjarë të përkeqësohet me shtimin e pranimeve në spital në dy javët e ardhshme.

Deklarata e tij e shqetësimit vjen mes zbulimit të rasteve të variantit Omicron, i cili konsiderohet si shumë ngjitës. Duke folur për FranceInfo news, zëdhënësi i qeverisë Gabriel Attal konfirmoi se deri më tani janë identifikuar 133 raste të variantit dhe mund të ketë më shumë.

Derisa këto shifra janë më të ulëta se ato në Britani, ku varianti është përgjegjës për 40 për qind të rasteve, ekspertët besojnë se Franca mund të përjetojë një situatë të ngjashme brenda disa javësh.

Epidemiologu Pascal Crepey tha se Omicron përhapet më shpejt se varianti delta dhe prek popullatat që besohej se ishin imune deri më tani. Meqenëse varianti është tashmë i pranishëm në vend, “nuk ka asnjë arsye për të imagjinuar se ajo që po ndodh në Britani nuk do të ndodhë këtu”, tha ai në BFMTV.

Martin Hirsch, drejtori i përgjithshëm i Ndihmës publike – Spitalet e Parisit (AP-HP), në një intervistë për RTL news tha se vala e gjashtë epidemike do të fillojë në janar. Ai paralajmëroi se megjithëse shkalla e vaksinimit në vend është e lartë, njerëzit duhet të ruajnë vigjilencën gjatë takimeve dhe mbledhjeve familjare për festat e fundvitit dhe festimet e Vitit të Ri, sepse në të kundërtën spitalet do të jenë të mbingarkuara.

Kategoritë
BotaLajme