Francë, trazira në përvjetorin e tretë të protestave të jelekverdhëve

Jelekët e verdhë në Francë u mblodhën me rastin e trevjetorit të protestave për të shprehur edhe një herë pakënaqësinë ndaj politikës së administratës së presidentit Emmanuel Macron.

Jelekët e verdhë në Francë u mblodhën me rastin e trevjetorit të protestave për të shprehur edhe njëherë pakënaqësinë ndaj politikës së administratës së presidentit Emmanuel Macron. Gajtë protestave në Paris pati trazira.

Disa mijëra demonstrues u mblodhën në sheshin pranë Ministrisë së Ekonomisë në Paris, nga ku u nisën drejt sheshit Victor et Helene Basch.

Gjatë ecjes, disa herë u ngrit një kordon policie për të mos lejuar lëvizjen e demonstruesve. Gjatë protestave pati përleshje mes policisë dhe protestuesve. Pjesëtarë të forcave të sigurisë përdorën gaz lotsjellës kundër demonstruesve, të cilët gjuanin me sende të ndryshme.

Në disa raste mund të shihej se si policia godiste protestuesit me shkopinj. Protestuesit dogjën shumë kosha plehrash dhe sende të tjera.

Punonjësit vullnetarë mjekësorë ndihmuan shumë njerëz që u ndikuan nga efektet e gazit lotsjellës.

Protestuesit shfaqën gjithashtu një pankartë me mesazhe kundër administratës së Macron-it.

“Edhe pse Macron nuk e dëshiron këtë, ne jemi këtu për nder të punëtorëve dhe një botë më të mirë”, bërtitën protestuesit.

Në protesta u theksuan edhe karikaturat e Macron-it, shefit të policisë së Parisit, Dider Lallement, dhe presidentit amerikan Joe Biden. Për shkak të përmbajtjes dhe ofendimeve përmes karikaturave janë ndaluar dy persona.

Në Paris u morën masa të larta sigurie, kurse protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera.

Lideri i jelekëve të verdhë, Jerome Rodrigues, tha për AA se protestat nisën si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe se sot çmimet e karburanteve janë 20 për qind më të larta se tre vjet më parë.

Ai tha se nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kërkesat e tyre edhe pas tre vitesh dhe se ende nuk e kanë fituar betejën.

Ata kujtuan se shumë njerëz në vend po përballen me një situatë të vështirë ekonomike.

“Presidenti jep 100 euro, por ne duam të marrim aq sa punojmë. Ne nuk duam para, duam të marrim atë që na takon”, tha Rodrigues.

Ai tha se kërkesat e tre viteve më parë janë të vlefshme edhe sot.

“Ne duam drejtësi sociale dhe tatimore, demokraci dhe t’u jepet fund përfitimeve për zyrtarët,” tha Rodrigues.

Ai paralajmëroi vazhdimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave.

“Ka dhunë. Policia përreth demonstrueseve vendos kordonë. Kjo është e ndaluar nga Gjykata e Apelit. Kështu ndodh dhuna dhe këtë e duan qeveria dhe Drejtoria e Policisë”, tha Rodrigues.

Protestat nisën më 17 nëntor 2018, si reagim ndaj rritjes së paralajmëruar të çmimit të karburanteve.

Demonstratat që filluan në Paris, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz, kanë shkaktuar shpesh trazira vitet e fundit. Në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera pati përleshje mes policisë dhe demonstruesve, u dogjën automjete dhe u hodhën sende të ndryshme.

Jelekët e verdhë, për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së infeksionit me koronavirus, nuk mundën të organizonin protesta të shpeshta vitin e kaluar. Edhe pse muajt e fundit janë mbajtur protesta të shtunave, pjesëmarrja ka qenë dukshëm më e ulët se më parë.

Gjatë protestave, 770 persona u plagosën për shkak të dhunës së policisë, duke përfshirë 127 punonjës të medias. Pesë persona humbën duart dhe 30 humbën shikimin.

Gjithsej 11 persona vdiqën në demonstrata.

Kategoritë
BotaLajme