G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore

Në deklaratën e tyre të përbashkët, krerët e vendeve të G7-tës i bënë thirrje Rusisë që të pezullojë operacionet ushtarake pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të tërheqë forcat e saj nga i gjithë territori i Ukrainës

Grupi G7 i fuqive të mëdha ekonomike të botës paralajmëroi sot Rusinë kundër përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne paralajmërojmë kundër çdo kërcënimi të përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore ose materialeve të ngjashme”, thanë liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së në një deklaratë të përbashkët pas një takimi në Bruksel.

“Kujtojmë detyrimet e Rusisë sipas traktateve ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është ajo”, theksuan ata.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryesuesi aktual i grupit G7, u tha gazetarëve pas takimit se vendet perëndimore janë të shqetësuara se Rusia mund të organizojë operacione “false-flag” duke përdorur armë të tilla.

“Rusia po pretendon vazhdimisht se Ukraina po zhvillon armë biologjike dhe kimike, ose thotë se të tjerët po e bëjnë atë atje. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë”, tha ai.

“Por, duhet të merren parasysh, të bëhen përgatitje kundër operacioneve të mundshme ‘false-flag’”, shtoi Scholz.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, krerët e vendeve të G7-tës i bënë thirrje Rusisë që të pezullojë operacionet ushtarake pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të tërheqë forcat e saj nga i gjithë territori i Ukrainës.

Udhëheqësit u zotuan të zbatojnë plotësisht masat ekonomike dhe financiare të vendosura tashmë ndaj Moskës, por nuk njoftuan sanksione të reja ndaj naftës dhe gazit rus.

Kategoritë
BotaLajme