Gaxherri: Nuk bëjmë koalicion me AKR-në, i ka thyer shpesh marrëveshjet

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka deklaruar se ende nuk është marrë ndonjë vendim zyrtar nëse partia e saj do të formojë koalicion parazgjedhor me ndonjërën prej partive. Ajo thotë se me partinë e Behxhet Pacollit nuk do të ketë koalicion, pasi sipas saj, AKR shpesh i ka thyer marrëveshjet

Gaxherri ka deklaruar se LDK duhet të shkojë e vetme në zgjedhje. Ajo ka përmendur edhe koalicionin me AKR-në.

Ajo shton se kur formohet një koalicion duhet të jenë korrekte të dyja palët.

“Nuk kemi marrë vendim zyrtarisht, kemi diskutu një ditë si grup parlamentar se nuk duhet të ketë koalicion dhe të shkojmë vetëm. Për këtë së pari diskutohet në Kryesi të partisë dhe më pas vendos Këshilli i Përgjithshëm. Nuk do të kisha pranuar koalicion me askënd, duhet të shkojmë vetëm. Kemi provuar koalicione me të gjitha partitë, edhe me AKR-në për të cilën kam respekt, por AKR shumë shpesh i ka thyer marrëveshjet, i ka marrë votat, kanë kalu nga LDK, qoftë në qeveri, edhe kësaj radhe kemi pasur shpesh shantazh që s’do të jemi ose jo në koalicion, kur të bëhet koalicioni duhet me qenë korrekt, prandaj duhet të shkojmë me forcat tona”, ka thënë Gaxherri për Reporteri.net.

E pyetur lidhur me listën për deputetë, Gaxherri ka deklaruar se ende nuk ka nisur zyrtarisht përpilimi i listës, por ka bërë të ditur se ajo do të jetë kandidate për deputete edhe në zgjedhjet e reja.

“Ende nuk ka nisur zyrtarisht përpilimi i listës, por për këtë nuk e kemi vështirë, dega propozon kandidatët e vet. Unë do të jem pjesë e listës për deputet”, ka deklaruar ajo.

Gaxherri ka thënë më tej se beson që LDK do të dalë e para në zgjedhjet e reja.

“Gjithsesi do të punojmë, s’kemi asnjë arsye mos me besu (se do të dalim të parët)”, ka deklaruar Gaxherri.

Ndërkohë, AKR’ja e Behgjet Pacollit është duke tentuar që të gjej partnerin e duhur për koalicion për të garuar në zgjedhjet e reja që pritet të mbahen gjatë këtij viti.

Njëra ndër partitë me të cilën AKR-ja ka zhvilluar biseda është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), gjë kjo e konfirmuar nga zyrtarët e partisë së Pacollit.

Kategoritë
LajmeVendi