Gazetarja holandeze akuzon për “gënjeshtra” kryeministrin grek Mitsotakis

“Kur do të ndaloni së gënjyeri lidhur me kthimin prapa të refugjatëve, lidhur me refugjatët në Greqi? Ju lutem mos ofendoni inteligjencën time dhe as të gjithë gazetarëve në botë”, ka pyetur Beugel.

Gazetarja holandeze, Ingeborg Beugel, në një konferencë për media të transmetuar drejtpërdrejt pyeti kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis me fjalët: “Përse gënjeni lidhur me çështjen e kthimit prapa të refugjatëve?”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dialogu tensionues ndodhi mes Beugel dhe Mitsotakis i cili po u jepte përgjigje gazetarëve në një konferencë të për përbashkët për media të mbajtur në rezidencën Maksimu pas takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte i cili ka vizituar Athinën.

“Kur do të ndaloni së gënjyeri lidhur me kthimin prapa të refugjatëve, lidhur me refugjatët në Greqi? Ju lutem mos ofendoni inteligjencën time dhe as të gjithë gazetarëve në botë”, ka pyetur Beugel, e cila ka tërhequr vëmendjen se ka prova se Greqia po kthen prapa refugjatët në mënyrë të paligjshme.

– “Po vazhdoni të gënjeni”

“Po vazhdoni të refuzoni dhe të gënjeni. Ky është një abuzim narcizist. Përse nuk jeni të sinqertë? Përse nuk thoni që ‘përse Brukseli na la vetëm, pritëm 6 vite, askush nuk bëri asgjë. Refugjatët duhet t’i vendosim në vende të tjera, se nuk e bëjmë këtë dhe që po i kthejmë në mënyrë të pamëshirshme, në mënyrë barbare (refugjatët)‘”, pyeti Beugel.

Ndërkohë Beugel i ka drejtuar edhe kryeministrit holandez, Rutte pyetjen: “A nuk duhen zbatuar sanksione ndaj Greqisë, madje edhe ndaj Holandës e cila pranon këto shkelje të të drejtave të njeriut për të cilën ajo ka pjesën e saj?”.

Duke vënë në dukje se shumë bashki në Holandë duan të pranojnë shumë refugjatë të tillë si refugjatët fëmijë të pashoqëruar, Beugel vuri në dukje se Rutte ka parandaluar këtë gjë.

Ndërsa kryeministri grek, Mitsotakis lidhur me pyetjen e drejtuar ndaj tij u përgjigj: “E kuptoj që ju në Holandë keni kulturën për të bërë pyetje direkte ndaj politikanëve. Por, unë nuk mund të pranoj të më poshtëroni mua dhe popullin grek në këtë zyrë me deklarata dhe akuza që nuk mbështeten në të vërteta materiale”.

Duke pretenduar se Greqia ka shpëtuar në det mijëra refugjatë, Mitsotakis ka vazhduar pretendimet e tij se kanë penguar sipas ligjeve evropiane varkat me refugjatë që vijnë nga Turqia dhe se kanë pritur që Roja bregdetare turke të vijë të marrë refugjatët dhe t’i kthejë prapa në Turqi.

– Mitsotakis akuzon Turqinë

“Në vend të Greqisë ju duhet të akuzoni ata të cilët e kanë bërë mjet në mënyrë sistematike problemin e emigrantëve dhe të cilët i detyrojnë njerëzit nga një vend i sigurt drejt një pozicioni të pashpresë. Dëshiroj t‘ju rikujtoj se ata që ndodhen në Turqi nuk janë në rrezik. Nuk duhet të na akuzoni neve, por të tjerët”, ka theksuar Mitsotakis.

Duke pyetur Beugel se “A e keni vizituar kampin tonë në Samos?” dhe pas përgjigjes “po” nga gazetarja holandeze, kryeministri grek Mitsotakis ka ngritur tonin e zërit dhe ka thënë: “Jo, nuk keni shkuar. Shikoni, nuk duhej të vinit në këtë ndërtesë dhe të më ofendonit mua. A jam i qartë? Tani po ju përgjigjem dhe nuk do të më ndërprisni”.

Beugel, punon si gazetare e pavarur në shtypin holandez dhe më pas me pretendimin se ka pritur si të ftuar (mysafir) në shtëpinë e saj një refugjat afgan 23-vjeç ajo është akuzuar për lehtësim të banimit të paligjshëm të emigrantëve në Greqi dhe kjo çështje i është referuar gjyqësorit grek.

Në një postim në median sociale përpara konferencës për shtyp, Beugel tha: “Pas pak do të vijnë kryeministri i Greqisë, Mitsotakis dhe kryeministri holandez, Mark Rutte. Janë përgjegjës të përbashkët të kthimeve prapa dhe tmerrit të refugjatëve. Kam të drejtën për një pyetje të vetme. Cilën pyetje dëshironi që t’u parashtroj? Ju lutem më jepni mendimin”.

Kategoritë
BotaLajme