Gazetarja holandeze që akuzoi për “gënjeshtra” kryeministrin grek do të largohet nga Greqia

Sipas mediave holandeze, Beugel po mendon të largohet nga Greqia pas konferencës për shtyp në të cilën polemizoi me kryeministrin Mitsotakis, pasi ka frikë për sigurinë e saj

Gazetarja holandeze Ingeborg Beugel, e cila akuzoi për “gënjeshtra” kryeministrin grek Kiryakos Mitsotakis në një konferencë për shtyp, njoftoi se po mendon të largohet nga vendi për shkak të kërcënimeve që ka marrë më pas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave holandeze, Beugel po mendon të largohet nga Greqia pas konferencës për shtyp në të cilën polemizoi me kryeministrin Mitsotakis, pasi ka frikë për sigurinë e saj.

Në një deklaratë për gazetën holandeze AD (Algemeen Dagblad), Beugel ka thënë se një ditë pas konferencës për shtyp, ajo u sulmua nga një grek i ekstremit të djathtë.

Beugel ka deklaruar se sulmuesi, i cili e ka vënë re teksa po shkonte në treg, ka hedhur gur në drejtim të saj, duke e gërvishtur në kokë.

Beugel ka thënë se fillimisht nuk i interesonte sulmi, por pas paralajmërimeve të kolegëve të saj grekë, e ka kuptuar seriozitetin e situatës dhe se në Greqi nuk kishte më siguri për të.

E pyetur nga AD se “Pse qeveria aktuale greke është kaq reaguese ndaj jush?”, Beugel është përgjigjur: “Refugjatët trajtohen shumë keq në Greqi dhe kjo situatë mbahet e fshehtë”.

Shoqata Holandeze e Gazetarëve (NVJ) e ka dënuar sulmin dhe ka mbajtur autoritetet greke përgjegjëse për sigurinë e Beugel-it.

Sipas mediave holandeze, Ministria e Jashtme e Holandës dhe ambasada në Athinë e kanë këshilluar gazetaren të largohet nga Greqia.

Siç raportohet, Beugel do të largohet nga Greqia në rastin e parë, por nuk dëshiron të specifikojë kohën për arsye sigurie.

Ndërkohë, deputetja holandeze e Parlamentit Evropian, Tineke Strik, në një postim në Tiwtter e ka cilësuar si skandal atë që ndodhi me gazetaren Beugel dhe ka kërkuar nga Komisioni i BE-së dhe kryeministri holandez Mark Rutte që të dënojnë kryeministrin grek Mitsotakis.

Ndryshe, në konferencën për shtyp pas një takimi me kryeministrin holandez Mark Rutte, i cili vizitoi Athinën javën e kaluar, Mitsotakis kishte një debat të tensionuar me gazetaren holandeze Beugel.

Në konferencën për shtyp, Beugel pyeti kryeministrin grek Kiryakos Mitsotakis: “Pse po gënjeni në lidhje me shtyrjen mbrapa të refugjatëve?”.

Beugel po ashtu është akuzuar për lehtësimin e qëndrimit të paligjshëm të emigrantëve në Greqi, me arsyetimin se kishte pritur në shtëpinë e saj një azilkërkues 23-vjeçar afgan dhe rasti u referua në gjykatën greke.

Kategoritë
BotaLajme