Gazetarja ruse: Televizioni ku punoja gënjente për luftën, doja të ekspozoja propagandën e shtetit

Gazetarja ruse e cila u arrestua pasi protestoi kundër luftës në Ukrainë gjatë edicionit të drejtpërdrejtë të lajmeve, tha se shpresonte ta “ekspozonte propagandën” e transmetuar për bashkëqytetarët e saj, përcjell Gazeta Express.

Marina Ovsjanikova, redaktore në televizionin shtetëror rus, Channel 1, u arrestua pasi u fut në studio javën e kaluar dhe ngriti një pankartë kundër luftës.

Duke folur për ABC-në amerikane të dielën, Ovsianikova tha se ndjente se televizioni ku punonte po përhapte gënjeshtra për luftën në Ukrainë.

“Unë mund të shihja se çfarë po ndodhte në të vërtetë në Ukrainë”, tha ajo. “Ajo që treguam në programet tona ishte shumë e ndryshme nga ajo që po ndodhte në realitet”.

Sipas Ovsianikova, ajo fillimisht mendoi t’i bashkohej protestave në rrugë në Rusi, por vendosi që protesta e saj në televizion të ishte më kuptimplotë dhe më me ndikim.

“Unë mund t’i tregoja popullit rus se kjo është thjesht propagandë, ta ekspozoja këtë propagandë ashtu siç është”, tha ajo.

Ajo u lirua nga paraburgimi pas një marrje në pyetje 14-orëshe dhe u gjobit me 30,000 rubla (264.25 euro).

Kategoritë
BotaLajme