Gazetarja ukrainase në Kosovë rrëfen tmerrin: Kur nisën bombardimet nuk mund ta kontaktoja vajzën

Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, e cila dje arriti në Kosovë, ka folur sot para mediave vendore.

Në fjalën e saj, ajo ka thënë se ka arritur dje në Kosovë nga Ukraina, ku lufta me rusët po vazhdon prej më shumë se 50-ditësh, shkruan lajmi.net.

Makey ka folur për mikpritjen që ka përjetuar në Kosovë.

“Sapo zbrita nga avioni, ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan. Më ka bërë shumë përshtypje se si dhimbja e vendit tim, ndihet në zemrat e vendit tuaj. Jam mirënjohëse Qeverisë së Kosovës për mbështetjen ndaj popullit të Ukrainës në një moment të vështirë. Gjithashtu, falënderoj kolegët e mi gazetarë, kjo është e rëndësishme që bota të dëgjojë të vërtetën për Ukrainën”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se tashmë mbi 25 kolegë të saj gazetarë janë të zhdukur në Mariupol dhe nuk dihet për fatin e tyre.

Makey ka thënë se rusët kanë vrarë, shantazhuar e kërcënuar gazetarë të nacionaliteteve të ndryshme që kanë shkuar për të raportuar në Ukrainë.

Ajo është shprehur krenare që është gazetarja e parë ukrainase që ka ardhur nga Ukraina në Kosovë, duke thënë se qëndrimi i saj në Kosovë do të jetë mundësi e mirë për të krijuar raporte të reja me kolegët e saj gazetarë kosovarë, si dhe forcimin e raporteve mes dy vendeve.

Makey ka thënë se i ka pëlqyer shumë Prishtina dhe mikpritja e njerëzve, duke thënë se në kryeqytetin e Kosovës ka qeshur për herë të parë pas shumë kohësh.

“Edhe pse moti ka qenë me vranësira dhe ka qenë ftohtë në Prishtinë, jam ngrohur duke ndjerë ngrohtësinë e njerëzve rreth meje. Jam ndjerë mirë sepse nuk kam qeshur moti”, ka thënë ajo.

Gazetarja ukrainase ka treguar se gjithmonë ka dëgjuar se ka mundësi që Rusia të pushtojë Ukrainën, por se këtë nuk e ka besuar deri në momentin që ishte zgjuar në mëngjes dhe kishte kuptuar se kanë nisur bombardimet e para.

“Unë kam qenë në Kiev kur kanë nisur bombardimet, vajza ime ka qenë në qytet tjetër dhe nuk kam pasur mundësi ta kontaktoj. Kam qenë e shqetësuar deri sa kam kontaktuar me të dhe më ka thënë se është mirë, pasi që unë nuk mund të dilja nga Kievi sepse është bllokuar”, ka thënë ajo.

Në fund, Makey ka thënë se tashmë ka lexuar për Kosovën dhe ka kuptuar se njerëzit që kanë kaluar një luftë të ngjashme, mund ta ndjejnë shumë më mirë dhimbjen në të cilën ajo po kalon.

Kategoritë
LajmeVendi