Gjakovë, kërkohet paraburgim ndaj një personi të dyshuar për tentim vrasje

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit T.N., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Tentim vrasje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri T.N., rreth orës 21:40, pikërisht në një lokal në Gjakovë, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin-të pandehurin, E.M..I njëjti, kishte dalë nga lokali, duke vërejtur që jashtë ishin duke u rrahur disa persona, aty e kishte parë të dëmtuarin-të pandehurin E.M., duke shtënë me armë brenda lokalit dhe pasi që ky i fundit del jashtë ku ka vazhduar duke u rrahur me disa persona të tjerë, i pandehuri, me armë zjarri gjuan fillimisht në ajër e më pas në drejtim të dëmtuarit-të pandehurit E.M, ku gjatë largimit të tij, në mes të veturave në parking ky fishek nuk arrin që ta godet.

I pandehuri menjëherë largohet nga vendi i ngjarjes, me ç‘rast dorëzohet në polici me datën 12.07.2021 .

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Tentim vrasje”, nga neni 172, paragraf 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.Po ashtu, i dyshuari T.N., më parë e deri më 11.07.2021, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar në stacionin policor.

Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragraf 1 i KPRK-së.I pandehuri T.N., gjendet në ndalim nga data 12.07.2021, ndërsa i dëmtuari- i pandehuri E.M, gjendet në arrati.

Kategoritë
LajmeVendi