Gjendet i gjallë në Glasgow i arratisuri amerikan që falsifikoi vdekjen e tij

Një i arratisur amerikan që besohet se ka falsifikuar vdekjen e tij do të ekstradohet pasi u arrestua në një spital në Glasgow. Nicholas Rossi, 34 vjeç, kërkohej nga Interpoli dhe përballet me akuzën e përdhunimit në Utah të Shteteve të Bashkuara. Ai u shtrua në Spitalin Universitar “Mbretëresha Elizabetë” në dhjetor me Covid-19,  ku përdori pseudonimin Arthur Knight.

Policia e Skocisë tha se ai u ndalua nën një urdhër arresti ndërkombëtar. Autoritetet në SHBA kanë konfirmuar se Rossi njihej gjithashtu si Nicholas Alahverdian në shtetin e Rhode Island, ku ai ishte i përfshirë në politikën lokale dhe ishte një kritik i sistemit shtetëror të mirëqenies së fëmijëve. Rossi u tha mediave amerikane në dhjetor të vitit 2019 se ai kishte limfomë Non-Hodgkin në fazën e vonë dhe kishte javë të tëra për të jetuar. Disa media raportuan se ai kishte vdekur në shkurt të vitit 2020.

Një memorial i postuar në internet e shpalli atë një “luftëtar që luftoi në vijën e parë për dy dekada” për të drejtat e fëmijëve dhe tha se hiri i tij ishte shpërndarë në det. Rossi besohet të jetë gjurmuar në njësinë e kujdesit intensiv të Spitalit Universitar “Mbretëresha Elizabetë” në Glasgow. Stafi mjekësor nuk ishte në dijeni se ai ishte në listën e kuqe të Interpolit raporton “BBC”.

Ai u arrestua në spital nga Policia e Skocisë më 13 dhjetor në emër të kolegëve në Utah. Zyra e Kurorës tha se qytetarit amerikan nëpërmjet një komunikimi video i shpjeguan proçedurat e ekstradimit në SHBA. Avokati i qarkut të Utah-s konfirmoi se ai njihej në shtet si Nicholas Rossi. Të dhënat e gjykatës treguan se zyrtarët e Utah-s po e kërkonin atë për një përdhunim të dyshuar.

Kur u arrestua në Glasgow, ai ishte në arrati nga autoritetet në disa shtete amerikane

Kategoritë
BotaLajme