“Gjendja e pajisjeve ushtarake në Gjermani është alarmante”

“Trupat kanë të drejtë për pajisjet më të mira të mundshme dhe gjithëpërfshirëse”, thotë komisionerja parlamentare për Forcat e Armatosura, Eva Hoegl.

Komisionerja ushtarake e Parlamentit gjerman, Eva Hoegl shprehu sot shqetësimet për atë të cilën ajo e quajti gjendje të mjerueshme të pajisjeve ushtarake të vendit.

Pas publikimit të raportit vjetor mbi gjendjen e ushtrisë gjermane në Berlin, Komisionerja Parlamentare për Forcat e Armatosura, Hoegl i përshkroi mangësitë dhe deficitet materiale në operacionet e Bundeswehr-it (Forcat e Armatosura Federale) si “alarmante”.

“Në disa raste, gatishmëria operacionale e pajisjeve në shkallë të gjerë ishte diç më pak se 50 për qind”, tha ajo.

Pajisjet e përditshme të tilla si jelekët mbrojtës ose xhaketat e dimrit dërgoheshin në zonën e operacionit vetëm pasi trupat ishin vendosur tashmë atje, shtoi Hoegl. “Kjo është krejtësisht e papranueshme. Dhe kjo duhet përmirësuar”, theksoi politikanja socialdemokrate.

Hoegl e bëri të qartë se trupat kanë të drejtë për pajisjet më të mira të mundshme dhe gjithëpërfshirëse pasi rrezikojnë jetën e tyre për vendin e tyre.

Ajo tha se ishte “tronditur shumë” nga raportet e ushtarëve dhe se “asnjë vizitë e trupave dhe asnjë bisedë nuk kalon pa më folur për mangësitë”.

Përveç problemit të burimeve materiale, një çështje që shqetëson trupat është edhe personeli, tha komisionerja.

Me 183.695 ushtarë, Bundeswehr është në thelb i pozicionuar mjaft mirë, thuhet në raport. Por, shton ajo, vargu i angazhimeve, detyrave dhe dislokimeve të jashtëzakonshme, si ndihma e gjerë administrative ose misioni i evakuimit në Afganistan, zbuloi se fuqia punëtore dhe rezervat e trupës janë të kufizuara.

Gjermania ka rritur në mënyrë drastike shpenzimet e saj për mbrojtjen si reagim ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke thënë se mbi 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) së vendit tani do t’i kushtohet ushtrisë.

Muajin e kaluar, kancelari Olaf Scholz njoftoi një “fond special” prej 100 miliardë eurosh për ushtrinë gjermane. “Ne do të përdorim fondet për investimet e nevojshme dhe projektet e armatimit. Tani e tutje, vit pas viti, do të investojmë mbi 2 për qind të PBB-së në mbrojtjen tonë”, tha Scholz.

“Ne duhet të investojmë më shumë në sigurinë e vendit tonë. Të mbrojmë lirinë dhe demokracinë tonë në këtë mënyrë. Kjo është një përpjekje e madhe kombëtare”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme