Gjeneral Jashari u prit me nderimet më të larta ushtarake në Tiranë nga homologu i tij Gjeneral Begaj

Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u prit sot në vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nga homologu i tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneralmajor Dr. Bajram Begaj.

Pas pritjes me nderimet më të larta ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, Gjeneral Jasharin e priti Zv. Ministrja e Mbrojtjes, znj. Dallëndyshe Bici.

Me këtë rast, Zv. Ministrja Bici i dëshiroi mirëseardhje të ngrohtë Gjeneral Jasharit, duke e uruar për detyrën dhe duke vlerësuar lartë udhëheqjen e tij.

Në vazhdim, Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Begaj zhvilluan takim kokë më kokë për të vazhduar tutje me takimin në nivel të dy delegacioneve nga shtabet e forcave respektive.

Fokusi kryesor i takimit ishte diskutimi i çështjeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dy-palësh në trajnime individuale, stërvitjeve kolektive dhe aktiviteteve tjera. Gjithashtu u diskutua për situatën e përgjithshme gjeopolitike dhe ndikimet potenciale në rajonin tonë.

Gjeneral Jasharit me delegacionin e tij vazhdoi vizitën në Komandën e Forcave Tokësore të FARSH, ku u prit nga komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Arben Kingji.

Me këtë rast, Gjeneral Jashari u njoftua nga afër me misionin, organizimin, strukturën dhe nivelin e gatishmërisë operacionale të Komandës së Forcave Tokësore, ku ndër të tjera shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e lartë për të arriturat e deritashme.

Gjeneral Jashari shprehu besimin se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes forcave tokësore të dy institucioneve do të thellohet edhe më tej në të ardhmen në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral ushtarak.

Vizita e Gjeneral Jasharit në Shqipëri është vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit pas marrjes së detyrës së Komandantit të FSK-së dhe simbolizon bashkëpunimin ndër-vëllazëror në mes Forcave të dy vendeve.

Kategoritë
LajmeVendi