Gjermanët kapin një spiun në Bundestag: çfarë u ofronte rusëve

Prokuroria kryesore e shtetit në Karlsruhe, Gjermani, ka ngritur një aktakuzë kundër një shtetasi gjerman për spiunim për shërbimin sekret rus.

“Shtetasi gjerman Jens F. dyshohet se i ka dorëzuar planet për ndërtesën Reichstag, parlamenti gjerman, një punonjësi të ambasadës ruse që punon për shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë në mes të 2017,” tha Prokuroria e Përgjithshme e Karlsruhe në një deklaratë.

Pesëdhjetë e pesë vjeçari Jens F. nga Potsdami punonte për një kompani që kontrollonte rregullisht instalimet elektrike në ndërtesat e përdorura nga Bundestagu, pranë ndërtesës së Reichstag-ut dhe ndërtesës me zyrat e deputetëve dhe që kishte qasje në planet e detajuara të dyshemesë.

Ai thuhet se kopjoi të dhënat me planet e dyshemesë dhe ia dërgoi një punonjësi të ambasadës ruse. Nuk thuhet nëse Jens F. ka marrë para për këto shërbime.

Siç u njoftua sot, aktakuza u paraqit në Gjykatën e Lartë të shtetit federal të Berlinit në 12 shkurt.

Kjo nuk është hera e parë që shërbimet sekrete ruse dyshohet se kanë spiunuar parlamentin gjerman. Kështu, në vitin 2016, autoritetet gjermane njoftuan se shërbimet sekrete ruse kishin sulmuar sistemin kompjuterik të Bundestag një vit më parë.

Një raport mbi spiunazhin rus mund të forcojë qëndrimet e kundërshtarëve të projektit të gazsjellësit ruso-gjerman Nord Stream 2, i cili do të drejtohet nën Detin Baltik.

Një kritikë e tillë vjen gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara, me pretendimet se projekti do të rrisë varësinë e energjisë së Gjermanisë nga një partner potencialisht jo i besueshëm.

Kategoritë
BotaLajme