Gjermani, përkujtohen viktimat e sulmit racist-terrorist në Hanau

Dy vjet më parë, më 19 shkurt 2020, në një sulm racist-terrorist në dy kafene në qytetin gjerman Hanau, racisti Tobias Rathjen vrau 9 civilë, përfshirë katër turq dhe një boshnjak.

Sot në varrezat e qytetit Hanau në Gjermani janë përkujtuar nëntë viktimat e sulmit racist-terrorist që ndodhi më 19 shkurt 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Dy vjet më parë, më 19 shkurt 2020, në një sulm racist-terrorist në dy kafene në qytetin gjerman Hanau, racisti Tobias Rathjen vrau 9 civilë, përfshirë katër turq dhe një boshnjak. Edhe pse kanë kaluar dy vite nga sulmi, dhimbja në familjet e viktimave është ende e freskët.

Përkujtimi u mbajt në varrezat në Hanau, ku u varrosën tre personat që u vranë në sulmin terrorist.

Në këtë përkujtim morën pjesë, ndër të tjera, ministrja e Brendshme federale gjermane, Nancy Faeser, kryeministri i Hessenit, Volker Bouffier dhe konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Frankfurt, Erdem Tuncer.

Ministrja Faeser tha se ndan dhimbjen e familjeve që humbën fëmijët e tyre në këtë sulm racist.

“Ajo që u ndodhi atyre më thyen zemrën. Sot vajtojmë për humbjen e nëntë të rinjve. Vrasësi në Hanau donte ta përçante këtë qytet, por pas këtij rasti, ndryshe nga sa donte të arrinte vrasësi, qytetarët e këtij qyteti ishin edhe më të bashkuar”, theksoi Faeser.

Bouffier tha se racizmi është kancer dhe duhet luftuar.

Gjatë përkujtimit, foli nga një përfaqësues i secilës familje që humbi të dashurit e tyre në sulm.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shpërndarë një video në llogarinë e tij në Twitter me rastin e 2-vjetorit të sulmit racist-terrorist në Hanau.

“Fatih, Ferhat, Gokhan, Hamza, Kaloyan, Mercedes, Sedat, Said Nesar, Vili Viorel, ju ishit pjesë e vendit tonë. Ne i detyrohemi familjes dhe miqve tuaj përgjigje për pyetjet që janë ende të pazgjidhura. Qeveria federale do të luftojë me vendosmëri kundër racizmit dhe terrorizmit të së djathtës”, tha Scholz.

Një tubim nën sloganin “Së bashku kundër terrorizmit, racizmit dhe anti-islamizmit” është planifikuar në sheshin Heumarkt. Nga ora 21 deri në 22, në momentin kur ndodhi sulmi, në mënyrë simbolike do të lëshohen balona në kujtim të viktimave.

Lutjet për viktimat e masakrës do të bëhen në xhamitë e qytetit ndërsa në rrugët e Hanaut është planifikuar një shëtitje kundër racizmit si dhe do të mbahet një turne përkujtimor në futboll.

Kujtojmë se ekstremisti Robias Rathjen vrau nëntë persona me origjinë emigrante në një sulm racist në Hanau në dy restorante. Sulmuesi më pas shkoi në shtëpi dhe vrau nënën e tij ndërsa më pas kreu vetëvrasje. Në sulm u vranë Mercedes Kierpacz, Sedat Gurbuz, Gokhan Gultekin, Hamza Kurtoviç, Ferhat Unvar, Kaloyan Velkov, Vili Viorel Paun, Said Nesar Hashemi dhe Fatih Saracoglu.

Kategoritë
BotaLajme