Gjermania merr masa shtesë anti-COVID për shkak të rritjes së infeksioneve

Personat e pavaksinuar nuk do të mund të hyjnë në shumë ambiente dhe të marrin pjesë në ngjarje

Masat për frenimin e koronavirusit (COVID-19) janë shtuar sërish në Gjermani për shkak të rritjes së rasteve të infeksioneve dhe arritjes së kufirit të kapaciteteve të spitaleve në disa rajone, raporton Anadolu Agency (AA).

Kancelarja Angela Merkel u takua me kryeministrat e provincave gjermane për të vlerësuar masat që duhen marrë në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Në takimin virtual mori pjesë edhe Olaf Scholz, i cili do të marrë postin e kancelarit në qeverinë e koalicionit që do të formohet mes Partisë Social Demokrate (SPD), të Gjelbërve dhe Partisë Demokratike të Lirë (FDP).

Pas takimit, kancelarja Merkel, Scholz, kryeministri i shtetit Nordrhein-Westfalen, Hendirk Wüst, dhe kryeministri i shtetit të Berlinit, Michael Müller, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Duke vënë në dukje se numri i rasteve të infeksioneve me COVID-19 është në nivel të lartë dhe pacientët po transferohen në rajone të tjera në disa spitale, Merkel tha se “situata është shumë e rëndë”.

Merkel theksoi se duhet të ulet barra e sistemit shëndetësor dhe të thyhet vala e katërt e pandemisë, duke shtuar se për këtë janë marrë masa të reja.

Duke i bërë thirrje publikut të marrin dozë përforcuese të vaksinës, Merkel theksoi se dy doza vaksinash nuk do të jenë të vlefshme gjatë gjithë kohës dhe dy dozat do të humbasin vlefshmërinë e tyre pas nëntë muajsh në nivel të Bashkimit Evropian.

Merkel deklaroi se Komisionit të Etikës i është kërkuar të përgatisë një rekomandim deri në fund të vitit për çështjen e një detyrimi të përgjithshëm vaksinimi dhe shprehu kënaqësinë e saj që qeveria dhe shtetet do të vendosin për detyrimin e vaksinimit në Bundestag.

Kancelarja në largim tha se detyrimi i vaksinimit mund të hyjë në fuqi në fund të shkurtit, pasi parlamenti të marrë një vendim dhe të sigurojë që të gjithë të mund të vaksinohen.

Merkel vuri në dukje se qeveritë lokale mund të ashpërsojnë masat e marra në takim kur të jetë e nevojshme.

– Masat e reja

Sipas vendimeve të marra në mbledhje, rregulli 2G (i shëruar dhe i vaksinuar) do të zbatohet për hyrje në dyqane në gjithë vendin. Vendet ku shiten ushqimet bazë do të përjashtohen nga ky rregull.

Personat që janë vaksinuar dhe shëruar (rregulli 2G) do të mund të hyjnë në ambiente si kinema, teatro dhe restorante. Mund të bëhen përjashtime për fëmijët dhe të rinjtë nën 18 vjeç.

Njerëzit nga e njëjta familje do të mund të takohen me maksimum dy persona nga një familje tjetër nëse ndonjëri prej tyre nuk është i vaksinuar, sipas masave të marra. Fëmijët nën moshën 14 vjeç do të përjashtohen nga ky rregull.

Kufizime janë vendosur edhe në fushën e sportit, kulturës dhe ngjarjeve të ngjashme të mëdha. Në këto ngjarje do të përdoret maksimum 50 për qind i kapacitetit të ambientit, por numri i pjesëmarrësve në këto evente do të jetë i kufizuar në 5 mijë në ambiente të mbyllura dhe 15 mijë në ambiente të jashtme. Gjithashtu, në këto ngjarje do të zbatohet rregulli 2G dhe do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskës mjekësore.

Në rajonet ku rastet janë shumë të larta, eventet do të anulohen dhe aktivitetet sportive do të zhvillohen pa spektatorë.

Baret dhe diskotekat do të mbyllen në rajonet ku numri i rasteve të reja për 100 mijë persona në javë kalon mbi 350. Të gjitha kontaktet do të kufizohen në këto zona dhe do të vendosen kufizime në evente edhe në numrin e personave që janë vaksinuar dhe shëruar.

Për Vitin e Ri, 31 dhjetor dhe 1 janar, do të zbatohet ndalim mbarëkombëtar i tubimeve. Përveç kësaj, shitja e fishekzjarrëve para Krishtlindjeve do të jetë e ndaluar.

Në kuadër të masave, nxënësit detyrohen të mbajnë maska ​​në shkollë.

Kategoritë
BotaLajme