Gjermania në shenjë hakmarrje dëbon një diplomat rus

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë njoftoi se ka urdhëruar dëbimin e një anëtari të stafit të Ambasadës së Rusisë në Berlin, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike

Gjermania ka shpallur person të padëshiruar një diplomat rus në shenjë hakmarrjeje për një lëvizje të ngjashme të marrë nga Rusia javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë njoftoi se ka urdhëruar dëbimin e një anëtari të stafit të Ambasadës së Rusisë në Berlin, në përputhje me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

“Me këtë hap, Qeveria Federale i përgjigjet një vendimi të Federatës Ruse të së premtes, 5 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin e ministrisë gjermane.

Javën e kaluar, Rusia dëboi disa diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë një anëtar të stafit të Ambasadës së Gjermanisë në Moskë, për shkak të mbështetjes së tyre të tubimeve të organizuara në përkrahje të politikanit rus të opozitës, Alexei Navalny.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, të premten e kaluar tha se vendimi i Rusisë ishte “pa ndonjë justifikim” dhe ka dëmtuar më tej marrëdhëniet e vendit me Evropën.

Maas pretendoi se diplomati gjerman thjesht po bënte punën e tij deh po ndiqte zhvillimet në terren me mjete ligjore sipas Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike.

Në Rusi javëve të fundit u organizuan disa tubime në mbështetje të opozitarit Navalny, të cilat nuk ishin të autorizuara nga autoritetet.

Navalny u arrestua në Moskë pas kthimit të tij më 17 janar nga Gjermania, ku ai kishte qëndruar për trajtim pas një helmimi të pretenduar në Rusi.

Autoritetet ruse thanë se ai kishte shkelur lirimin me kusht të një dënimi për një vepër të pastrimit të parave të vitit 2014, një rast që Navalny thotë se është i “motivuar politikisht”.

Të martën e kaluar, një gjykatë në Moskë dënoi Navalny-n me dy vite e tetë muaj burg për shkeljen e lirimit me kusht.

Kategoritë
BotaLajme