Gjermania planifikon të vaksinojë adoleshentët gjatë verës

Gjermania planifikon që të nisë vaksinimin e të gjithë fëmijëve mbi 12 vjet deri në fund të gushtit, thuhet në një draft-dokument të Ministrisë gjermane të Shëndetësisë.

Pas një fillimi të ngadaltë të fushatës së vaksinimit kundër COVID-19, Gjermania tashmë ka përshpejtuar imunizimin e popullatës kundër virusit, shkruan Reuters.

Me mbi 40 për qind të popullatës prej 83 milionë banorësh që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, vëmendja tashmë është kthyer rreth pyetjes se nëse duhet që të vaksinohen edhe adoleshentët.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel më vonë gjatë të enjtes pritet të diskutojë pikërisht për këtë çështje me kryeministrat e 16 shteteve federale gjermane.

Megjithatë, opinioni në mesin e ekspertëve në Gjermani është i ndarë lidhur me vaksinimin e adoleshentëve. Disa shkencëtarë thonë se për shkak të mungesës së të dhënave lidhur me efektet afatgjate të vaksinimit, do të duhej që të vaksinoheshin vetëm adoleshentët që kanë sëmundje të rënda. /Rel/

Kategoritë
BotaLajme