Gjermania refuzon kërkesën për ndihmë ushtarake nga Ukraina

“Jam i bindur se konflikti mund të zgjidhet vetëm me kanale politike dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë të përfshirët”, tha Maas në një konferencë për media në Berlin para takimit online të kryediplomatëve të vendeve anëtare të NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka hedhur poshtë një kërkesë të Ukrainës për armë derisa kjo e fundit që nga viti 2014 në lindje të vendit po lufton rebelët separistë të mbështetur nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jam i bindur se konflikti mund të zgjidhet vetëm me kanale politike dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë të përfshirët”, tha Maas në një konferencë për media në Berlin para takimit online të kryediplomatëve të vendeve anëtare të NATO-s.

Komentet e kryediplomatit gjerman ishin në përgjigje të një interviste të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për gazetën gjermane ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, ku ai kërkoi ndihmë ushtarake.

“Gjermania nuk ka dhënë ndihmë ushtarake, por mund ta bëjë. Gjermania ka anije të shkëlqyera, anije të shpejta, anije me raketa dhe anije patrullimi”, tha Zelensky.

Berlini dhe Parisi kanë udhëhequr përpjekjet e vazhdueshme diplomatike perëndimore për të zgjidhur konfliktin e zgjatur ushtarak në Ukrainën lindore, por një zgjidhje politike nuk pritet për kohë të shpejtë.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), luftimet midis forcave të qeverisë ukrainase dhe separistëve pro-rusë në Ukrainën lindore kanë vrarë mbi 13 mijë persona.

Qeveritë perëndimore vazhdimisht kanë akuzuar Rusinë për dërgimin e rregullt të ushtarëve përtej kufirit në Ukrainë, por Moska pretendon se çdo luftëtar rus në Ukrainën lindore është thjesht “vullnetar”.

Rusia është përballur me sanksione perëndimore për rolin e saj në konfliktin e armatosur ukrainas.

Kategoritë
BotaLajme