Gjermania “shuplakë” Rusisë, e pezullon miratimin e gazsjellësit 10-miliardësh

Rregullatori gjerman i energjisë e ka pezulluar procesin e miratimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që është ndërtuar me qëllim të dërgimit të gazit natyror rus drejt Gjermanisë.

Autoriteti gjerman tha se kompania operuese e gazsjellësit duhet të jetë në përputhje me ligjet gjermane para se të mund të miratohet projekti 10-miliardësh, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Vendimi i Gjermanisë e çoi çmimin e gazit në Britani e në pjesën tjetër të Evropës në nivelin më të lartë në tri javët e fundit. Kritikët frikësohen se gazsjellësi i ri do ta rrisë varësinë e Evropës nga Rusia në fushën e energjisë.

I shtrirë nën shtratin e Detit Baltik, gazsjellësi i ri do ta dyfishonte eksportimin e gazit rus për në Gjermani dhe gjithashtu do ta anashkalonte Ukrainën, e cila përfiton shifra të mëdha nga gazsjellësit ekzistues që shtrihen transit nëpër territorin e saj.

Bizneset gjermane kanë investuar shumë në gazsjellësin 1.225 kilometra të gjatë dhe ish-kancelari Gerhard Schröder ka luajtur rol të madh në zhvillimin e këtij projekti.

Pritet që vendimi për pezullimin e miratimit ta vonojë projektin edhe për disa muaj dhe edhe kur projekti ta marrë miratimin nga Gjermania, i nevojitet më pas edhe drita e gjelbër nga Komisioni Evropian.

Kategoritë
BotaLajme