GJND: Rusia të ndalojë menjëherë luftën në Ukrainë

Vendimi erdhi pas Ukraina kërkoi urdhër urgjent për të ndalur armiqësitë në vend, duke argumentuar se Moska zbatoi në mënyrë të rreme ligjet e gjenocidit për të justifikuar fillimin e një lufte

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të ndalojë luftën në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi i gjykatës më të lartë të OKB-së në Hagë u miratua me 13 vota pro dhe dy kundër.

“Gjykata shpalos masat e mëposhtme të përkohshme me 13 vota pro dhe dy kundër: Federata Ruse duhet të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që filloi më 24 shkurt 2022 në territorin e Ukrainës”, thuhet në vendimin e lexuar nga një zyrtar.

Rusia bojkotoi seancat dëgjimore në gjykatën më të lartë të OKB-së për Ukrainën, e cila kërkoi urdhër urgjent për të ndalur armiqësitë në vend, duke argumentuar se Moska zbatoi në mënyrë të rreme ligjet e gjenocidit për të justifikuar fillimin e një lufte.

Në kërkesën e saj, Ukraina pohoi se Rusia “ka pretenduar në mënyrë të rreme se akte të gjenocidit kanë ndodhur në rajonet Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës”.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka quajtur luftën aktuale “operacion special ushtarak” për të mbrojtur njerëzit “e përballur me gjenocidin” nga Ukraina dhe për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e vendit.

Separatistët e mbështetur nga Rusia, që nga viti 2014, kanë luftuar forcat e Ukrainës në dy rajonet separatiste lindore në lindje të vendit, të cilat Rusia tani i ka njohur si shtete.

Qeveria e Ukrainës thotë se rreth 15.000 njerëz janë vrarë në atë konflikt, i cili përkoi me aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Kategoritë
BotaLajme