Gjobitet gazetarja ruse që doli në mes të lajmeve duke protestuar

Një gazetare ruse, e cila protestoi kundër luftës në Ukrainë me një pankartë derisa lajmet po jepeshin drejtpërdrejt dhe që publikoi një video kundër luftës, është dënuar me gjobë.

Marina Ovsyannikova, redaktore në Channel 1 një medium që kontrollohet nga shteti, u arrestua menjëherë pasi u shfaq në ekran.

Ajo gjithashtu publikoi një video ku luftën e Rusisë në Ukrainë e quajti krim dhe u kërkoi rusëve të protestojnë kundër luftës.

Gjoba prej 30,000 rubla (256 euro) iu vu për shkak të mesazhit që dha në videon e saj.

Ajo u deklarua e pafajshme për akuzën e organizimit të një ngjarjeje publike të paautorizuar.

Në video, ajo i bëri thirrje popullit rus të protestojë kundër luftës, duke thënë se vetëm ata kanë fuqinë për të “ndaluar gjithë këtë çmenduri”.

Në pankartën e saj shkruhej: “Ndalo luftën! Mos i besoni propagandës! Ata po ju gënjejnë”.

Fillimisht, asaj s’iu lejua qasja te avokatët e saj, njëri prej të cilit në mëngjes tha se nuk e dinte se ku ishte ajo, pasi e kishte kërkuar në stacionet policore që ishin afër televizionit.

Kategoritë
BotaLajme