Gjukanoviç: Në Potoçari fjalët humbin kuptimin, këtu historia e Ballkanit foli me klithmën më të tmerrshme

“Përkulem para hijes së viktimave të Srebrenicës”, shkroi në librin e kujtimeve në Qendrën Përkujtimore Potoçari, Millo Gjukanoviç, Presidenti i Malit të Zi.

Përkulem para hijes së viktimave të Srebrenicës, shkroi në librin e kujtimeve në Qendrën Përkujtimore Potoçari, Millo Gjukanoviç, Presidenti i Malit të Zi, i cili po merr pjesë në përkujtimin e 26-vjetorit të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve të Srebrenicës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në Potoçari, fjalët humbin kuptimin e tyre, sepse historia ballkanike ka folur këtu me klithmën më të tmerrshme. Gjysmë shekulli pas Holokaustit, civilizimi evropian u vra këtu edhe një herë. E vetmja që na mbetet është që me vuajtjet e mëdha të ruajmë kujtimet për viktimat e pafajshme të gjenocidit dhe shprehim keqardhje që jemi bashkëkohës të krimit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo na detyron të mos lejojmë revidimin e të vërtetës rreth vuajtjeve të mëdha të Srebrenicës. Paqe për shpirtrat e tyre. Kurrë të mos të përsëritet”, shkroi Gjukanoviç.

Sot në Potoçari, në shënimin e 26-vjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve të Srebrenicës, marrin pjesë një delegacion i madh nga Mali i Zi të kryesuar nga presidenti Millo Gjukanoviç, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, ministri i Jashtëm Gjorgje Radulloviç, reisi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat Fejziç, dhe një numër deputetësh.

Delegacioni i Kuvendit të Malit të Zi dorëzoi një kopje të rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë, që u miratua së fundmi, e cila do të vendoset në Qendrën Memoriale Potoçari.

Kategoritë
LajmeRajoni