Gjurmët e një fotografie të harruar, Çallgia e Selanikut nga viti 1908

“Kjo fotografi do të na bëjë të habitemi dhe të ndalemi në shumë aspekte që hapin çështje madhore institucionale që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, jo vetëm fotografike, por edhe muzikore”, thekson Ratajkoski.

Sa më të vjetra të jenë, aq më të vlefshme janë fotografitë e rralla që pasqyrojnë realitetin e së kaluarës, si në aspektin historik ashtu edhe në atë kulturor.

Kjo është pikërisht fotografia “Çallgia e Selanikut” e vitit të largët 1908, e cila është në pronësi të historianit dhe gazetarit hulumtues, Dime Ratajkoski. Një fotografi për të cilën ai thotë se është një artefakt historik i paçmuar e ka marrë kohët e fundit nga Republika e Turqisë dhe për herë të parë publikisht e ndan me Anadolu Agency (AA).

 

Në një bisedë për AA, Ratajkoski sqaron se fotografia mban titullin “Çallgia e Selanikut – 1908”, duke theksuar se është e evidentuar në mënyrë të ngjashme edhe në anën e pasme të fotografisë, “mjaft të dëmtuar, e zbardhur dhe në gjendje të keqe, si dhe e ngrënë nga rrëmbimi i kohës”.

“Interpretuesit e Çallgisë, të ulur nga e djathta në të majtë – Qemal beu në dajre, Rifat beu në kanun, Ramiz beu në out (lloj lahute) dhe Galib beu në violinë. Nga e djathta në majtë qëndrojnë në këmbë – Osman beu me dajre, Haki beu në kemane (i ngjashëm me violinën). Kjo fotografi, të paktën deri më tani, është fotografia më e vjetër nga Maqedonia Osmane që tregon përbërjen e plotë të një grupi interpretuesish të Çallgisë, pjesë nga ‘Camera Ottomana’ dhe ‘Camera Macedonica’ “, thotë Ratajkoski duke shpjeguar fotografinë.

Ai shpreh bindje se kjo fotografi është një stoli e përjetshme, mosha e të cilës, me kalimin e kohës edhe rrit vlerën dhe rëndësinë e saj.

“Kjo fotografi do të na bëjë të habitemi dhe të ndalemi në shumë aspekte që hapin çështje madhore institucionale që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, jo vetëm fotografike, por edhe muzikore”, thekson Ratajkoski, i cili shpjegoi se fotografia ka përmasat ‘29×23 cm’ dhe është e ngjitur në karton të fortë.

Siç shprehet ai në bisedë, fotografia është realizuar në vitin 1908 në “epokën e artë të Çallgisë, kur ky instrument muzikor ishte i popullarizuar në qytetet në mbarë Maqedoninë Osmane, kryesisht në Selanik, Manastir, Shkup, si dhe në qytete të tjera më të vogla”.

“Kjo fotografi e pambrojtur, që po publikoj për herë të parë, sot pjesë e koleksionit tim, është dëshmitare e atyre kohërave të ngjyrosura nga tingujt e makamit (shkallë muzikore), intensiteti i të cilës gradualisht do të fillojë të zbehet me kalimin e viteve, deri në shuarjen e plotë të saj”, thekson Ratajkoski.

Sipas tij, kjo fotografi në fakt është një dëshmi e heshtur se që nga koha e osmanëve, Çallgia është pjesë e traditës muzikore maqedonase që ekziston edhe sot.

Kategoritë
Kulturë