“Gjykata Kushtetuese nuk dha asnjë zgjidhje për çështjen e zgjedhjeve vendore në Shqipëri”

Këshilltari për çështjet ligjore i presidentit të Shqipërisë, bëri publik qëndrimin e presidentit Meta, ku u shpreh se Gjykata Kushtetuese faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare

Presidenca e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për rrëzimin e kërkesës për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019, duke theksuar se gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat, Bledar Dervishaj, këshilltari për çështjet ligjore i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, bëri publik qëndrimin e Metës, ku u shpreh se Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare.

“Gjykata Kushtetuese, për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim dhe e shpalli veten jo kompetente, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve, parimeve dhe vlerave më të larta tona shoqërore e morale mbi të cilat ne si shqiptarë kemi vendosur të ndërtojmë jetën tonë, në një shoqëri me demokraci funksionale”, u shpreh Dervishaj.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, si instanca e fundit e ngarkuar me kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve apo vendimeve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror, “nuk përmbushi rolin, misionin dhe përgjegjësitë që Kushtetuta i ka dhënë”.

“Gjykata Kushtetuese, për një çështje kaq të rëndësishme të karakterit kushtetues, nuk e përmbushi misionin e saj sublim, por me vendimin e marrë nuk dha asnjë zgjidhje siç do duhej të bënte, dhe siç interesat më të larta të vendit e kërkonin”, tha ndër të tjera Dervishaj.

Kujtojmë se në nëntor të këtij viti
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, zgjedhje që u bojkotuan nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike dhe disa parti të tjera

Zgjedhjet vendore në Shqipëri

Zgjedhjet vendore për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në Shqipëri u zhvilluan më 30 qershor 2019 sipas dekretit të parë të presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili u anulua më 10 qershor të po atij viti.

Një dekret ri nga presidenti Meta që caktonte 13 tetorin 2019 si datë të re për zgjedhjet vendore nuk u mbështet nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Në zgjedhje morën pjesë Partia Socialiste, e cila drejtoi koalicionin e emërtuar “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, së bashku me disa parti aleate të saj.

Partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike (PD), dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), bojkotuan zgjedhjet vendore, pasi në atë kohë kërkonin qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas dorëzimit të mandateve parlamentare, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor ishin disa parti të tjera opozitare.

Në zgjedhjet në fjalë, koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste fitoi në 60 bashki të vendit.

Kategoritë
LajmeRajoni