Gjykatësi dhe prokurori diskutojnë për dëshmitarët në seancën ndaj Gucatit e Haradinajt

Në Gjykatën Speciale në Hagë po mbahet seanca paragjyqësore ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Pas diskutimit për disa çështje të rastit, gjykatësi u ndal në pjesën e pjesëmarrjes së dëshmitarëve të zgjedhur nga Prokuroria në procesin gjyqësor.

Përderisa avokatët e Gucatit dhe Haradinajt kanë kërkuar që Prokuroria t’i publikojë emrat e dëshmitarëve që i ka zgjedhur për t’i dëgjuar, Prokuroria përmes një parashtrese ka thënë se nxjerrja e emrave të dëshmitarëve mund t’i rrezikonte ata.

Gjykatësi në anën tjetër ka pyetur prokurorin nëse i kanë njoftuar dëshmitarët se nuk do të aplikoheshin masa mbrojtëse për ta, ndërsa Prokurori ka pohuar se dëshmitarët janë në dijeni që ZPS-ja mund të kërkojë masa mbrojtëse.

“Dëshmitarët e dinë se ZPS-ja mund të kërkojë masa mbrojtëse”, tha prokurori, në përgjigjje.

Tutje, gjykatësi i tha prokurorit të mos ulej, duke ia bërë edhe disa pyetje në lidhje me dëshmitarët.

“Ju i keni kërkuar këtyre personave që t’i përgatisin deklaratat për procesin gjyqësor”, tha gjykatësi.

Duke mbrojtur mënyrën e sjelljes së prokurorisë me dëshmitarët, prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar tha: “Kjo është mënyra. Ne duhet të marrim deklarata, duhet t’i nxjerrim ato.”

 

Kategoritë
LajmeVendi