Gjykimi për plagosjen e Mehmet Elshanit, dëshmitarja thotë se kishte dëgjuar të shtëna armësh

Dëshmitarja Elmaze Lafiti ka thënë se në ditën kritike kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe e kishte parë të plagosurin duke e tërhequr nga këmba dhe duke e futur në veturë.

Një deklaratë të tillë, dëshmitarja Elmaze Latifi e ka dhënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të akuzuarit Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi, akuzohen për plagosjen e menaxherit të “On Records”, Mehmet Elshani.

Ndërsa në këtë rast, i dëmtuari Elshani akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Dëshmitarja Latifi duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Hivizi Bajraktari ka deklaruar se në ditën kritike kishte qenë në banesën e saj kur kishte dëgjuar të shtëna armësh, të cilat të shtëna sipas saj kanë qenë si të kallashnikovit.

“Ditën që ky rast ka ndodhur kam qenë në shtëpi e vetme dhe kam qenë në kuzhinë duke e përgatitur drekën dhe për momentin kam dëgjuar krisma armësh si të kallashnikovit dhe kam parë nga dritarja duke rënë gjethet në tokë”, ka thënë dëshmitarja Latifi.

Tutje, ajo ka shtuar se pasi kishte dalë në ballkon kishte dëgjuar dikën duke bërtitur se e kanë plagosur.

“Unë nuk marrë vesh se a është allti apo kallashnikov se nuk kam lidhje, por krisma ka qenë e madhe shumë si me kanë kallashnikov dhe për momentin kam dalë në anën tjetër në ballkonit edhe e kam dëgjuar dikën duke piskatur se “o kuku më kanë plagosë”, ka thënë dëshmitarja.

Tutje, ajo theksoi se pasi kishte dalë në ballkon kishte parë duke e tërhequr personin e plagosur për këmbe dhe duke e vendosur në veturë.

“E pashë duke e shti atë të plagosurin në kerr. Unë të plagosnin e kam parë prej ballkonit se shumë afër është ballkoni dhe ai personi i plagosur nga ballkoni jem përafërsisht ka qenë larg 4 -5 metra”, ka thënë Latifi.

Po ashtu, ajo ka thënë se nuk e ka parë pozitën që ka qenë i plagosuri, por vetëm duke e futur në veturë.

“Pozitën e të plagosurit nuk kam mundur me pa dhe pozita e të plagosurit nuk më kujtohet sepse më pengonin shemshirat të cilët janë afër rrugës, vetëm se kur të plagosurin e kam parë duke e shti në kerr dhe nuk ia kam parë fytyrën por vetëm këmbën dhe një rrip më kujtohet që e ka pas të lidhur në këmbë”, ka thënë tutje dëshmitarja Latifi.

Ajo theksoi se personat në veturë nuk i ka parë, si dhe tha se ka qëndruar në ballkon deri sa u nisë vetura, mirëpo nuk i kujtohet se çfarë veture ka qenë, si dhe nuk i kujtohet se sa persona kanë qenë në atë veturë.

Dëshmitarja Latifi ka deklaruar se në ballkonin e saj kishte parë plumba, disa nga dritaret e dhomave ishin thyer nga plumbat, si dhe teshat në ballkonin e saj ishin shpuar nga plumbat e armëve.

Ajo tha se pasi i kishte parë 3- 4 copa të plumbave në ballkon, i kishte thirrë zyrtarët policorë, të cilët sipas saj i kishte thënë “hajde biri këtu plumbat”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, pasi kishte shkuar për t’ua dërguar plumbat zyrtarëve policorë, në vendin e ngjarjes kishte parë gjak.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Shpëtim Cakiqi, avokatit Hamit Gashi, dëshmitarja ka thënë se në vendin e ngjarjes atë ditë ka pasur fëmijë e gra, të cilët i kishte parë duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëse Naime Jashanica se a e ndjen veten të dëmtuar, dëshmitarja ka thënë se është ndier shumë e shqetësuar pasi sipas saj ka qenë e vetme në banesë dhe ka mundur të plagoset në këtë rast.

Dëshmitarja Latifi në fund të deklarimit të saj ka thënë se iu është shkaktuar dëm dhe këtë dëm askush nuk ia ka kompensuar.

Tutje, gjykimi ka vazhduar më dëgjimin e dëshmitarit Lutfi Kosmiqi i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bajraktari ka thënë se kur kishte ndodhur rasti kishte qenë në një kafene prapa marketit “Eli ab” dhe duke shkuar në banesë i kishte parë disa persona duke kaluar nga ai dhe pastaj i kishte dëgjuar të shtëna armësh.

“Duke shkuar nëpër park dhe në dalje të parkut e kam dëgjuar një zhurmë duke bërtitë, i kam parë disa persona që kanë kaluar përpara meje dhe pasi e kanë kaluar parkun kanë dalë në rrugë, te tuneli i “Saranda Tursit” dhe masi kanë dal në rrugë këta persona unë i kam dëgjuar të shtënat me armë”, tha dëshmimtari Kosmiqi.

Ai shtoi se e di që në anën e majtë të rrugës janë kthyer tre – katër vetë dhe kanë vrapuar në drejtim të restorant “Dubrovnikut” dhe pas kësaj thotë se e ka telefonuar policinë.

Dëshmitari Kosmiqi deklaroi se nuk e di nëse këta persona e kanë ndjekur ndokënd, por ka shtuar se pasi që këta persona i kishin kaluar i cilindrat e parkut, i kishte dëgjuar tri – katër të shtënat armësh, por ka shtuar se nuk e din se prej sa armësh i ka dëgjuar të shtënat e armëve.

Tutje, pas rikujtimit nga prokurori Bajraktari, dëshmitari ka thënë se e ka parë një person me duks ngjyrë të kaltërt dhe me kapelë që ka kaluar pranë tij dhe pastaj kanë kaluar personat e tjerë dhe tek atëherë i kishte dëgjuar të shtënat e armëve.

Ai ka shtuar se nuk e kishte parë të plagosurin, por vetëm një veturë ku sipas tij më vonë e kishte kuptuar se me atë veturë të plagosurin e kishin dërguar në spital.

Tutje, dëshmitari ka thënë se duke shkuar në shtëpinë e tij kishte kaluar nga vendi i ngjarjes dhe kishte parë disa pika gjaku.

“Kur kam kaluar nga vendi i ngjarjes duke shkuar në banesë kam parë dy-tre pika gjaku në rrugë, dhe atë njolla i kam parë në kthesë në anën e majtë të kthesës është piceria “Parku”, aty në kthesë i kam parë pikat e gjakut”, ka thënë dëshmitari Kosmiq.

Prokurori Bajraktai ia dha dëshmitarit për shikim fotot e vendit të ngjarjes, e me këtë rast, ai ka sqaruar rrugën ku sipas tij kanë kaluar të pandehurit dhe ku i ka dëgjuar të shtënat e armëve, ku e ka parë veturën e cila e ka marrë të plagosurin, si dhe ka treguar se ku i ka parë pikat e gjakut.

Po ashtu, dëshmitari Kosmiqi ka thënë se nuk e di a ka qenë menaxheri i Feros apo a ka qenë menaxheri i “Panterave” dhe as sot nuk e di se cilët janë ata persona, kush ka qenë i plagosur, se sipas tij nuk i ka interesuar kjo punë.

Në fund të gjykimit, gjykatësi Agim Kuçi me vendim e ka aprovuar propozimin e avokatit Millaku që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Feronit Shabani i njohur me nofkën Fero dhe dy dëshmitarët okular Fitim Morina dhe Gentriti.

Mbrojtja ka kërkuar që të akuzuarve Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi t’iu hiqet masa e paraburgimit ose t’iu zëvendësohet me cilëndo masë tjetër.

Ky propozim është kundërshtuar nga prokurori Bajraktari dhe është refuzuar nga gjykatësi Agiim Kuçi.

Seancat e radhës në këtë rast pritet të mbahen më 9 dhe 22 dhjetor 2021.

Ndryshe, në këtë rast, Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi po akuzohen se kishin tentuar të privonin nga jeta të akuzuarin Mehmet Elshani, ndërsa Cakiqi po akuzohet edhe për një tjetër rast, në të cilin kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit Agon Selmanaj, të cilit i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se derisa Elshani ishte duke shkuar në drejtim të sallonit “Rizza Hair Sallon”, kishin shkuar të akuzuarit dhe kishin filluar të fjalosen me të, ku të tre i kishin nxjerrë armët dhe kishin filluar të shtien në drejtim të Elshanit, i cili për t’u mbrojtur kishte nxjerrë armën e tij dhe kishte shtënë në drejtim të të akuzuarve.

Nga këto të shtëna, një predhë e kishte qëlluar Elshanin në kofshë të këmbës së djathë duke e rrëzuar për tokë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa të akuzuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, sipas aktakuzës, nga të shtënat me armë të zjarrit, predhat kishin depërtuar edhe në banesën e të dëmtuarit Shaip Latifi duke i shkaktuar dëm në vlerë 95 euro, si dhe në veturën e të dëmtuarit Riza Bajrami, veturën e Besart Hasanit si dhe një tjetër veturë të tipit ‘Audi”.

Për këto veprime, tre të akuzuarit në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprat penale “vrasja e rëndë në tentativë” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa të njëjtit bashkë me të akuzuarin Mehmet Elshani po akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Shpëtim Cakiqi, më 16 maj 2019, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, me dashje i kishte shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Agon Selmanaj.

Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Selmanaj kishte qenë duke ecur me vëllanë e tij Ndue Selmanaj, përballë tyre kishin kaluar të akuzuarit Cakiqi dhe i akuzuari Adhurim Krasniqi, ku së bashku me një person të panjohur i kishin nxjerrë armët dhe i kishin repetitur duke ua drejtuar të dëmtuarve dhe kishin filluar të fjalosen me ta.

Në aktakuzë thuhet se në ato momente i akuzuari Adhurim Krasniqi e kishte goditur me grusht në kokë të dëmtuarin Ndue Selmanaj, ndërsa i akuzuari Cakiqi kishte shtënë në drejtim të Agon Selmanajt, duke e qëlluar në këmbën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, ndërsa të tre kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Për këto veprime, i akuzuari Cakiqi po ngarkohen me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i akuzuari Adhurim Krasniqi me veprat penale “kanosja” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Kategoritë
LajmeVendi