Gjyshi palestinez, Nabil çdo natë mban roje kundër kërcënimit izraelit për dëbim nga shtëpia e tij

“Kam frikë se mos më përzënë nga shtëpia në çdo moment. Kjo shtëpi është atdheu ynë. Këtu jam rritur, jam martuar. Këtu ka kaluar gjithë jeta ime”, tha Nabil al-Kurd 76-vjeç.

Nabil al-Kurd, një banor i lagjes Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të pushtuar, zgjohet çdo ditë me frikën se do të dëbohet nga shtëpia e tij për shkak të kërcënimit të dëbimit nga autoritetet izraelite.

Historia e banorëve të lagjes Sheikh Jarrah, të cilët kohët e fundit janë përballur me kërcënimin e dëbimit nga shtëpitë e tyre, shkon deri në Nakba (Fatkeqësia e Madhe) në vitin 1948, që është simboli i migrimit të detyruar, plaçkitjeve dhe masakrave për miliona palestinezë.

Në vitin 1956, 28 familje që ishin të pastreha në kohën kur Izraeli shpalli pavarësinë e tij në territoret palestineze u vendosën në lagjen Sheikh Jarrah përmes Jordanisë.

Palestinezët që kanë jetuar këtu për vite tani përballen me kërcënimin e dëbimit nga autoritetet izraelite. Izraeli dëshiron që palestinezët që jetojnë këtu të lirojnë shtëpitë e tyre në favor të kolonëve hebrenj.

Ndërsa banorët e Sheik Jerrahut nuk duan të bëhen refugjatë për herë të dytë duke u larguar nga shtëpitë e tyre ku jetojnë prej dekadash. Banorët e lagjes i rezistojnë presionit të autoriteteve izraelite.

Gjyshi Nabil, një palestinez, i cili është një nga banorët e lagjes, nuk i dorëzohet presionit të Izraelit dhe çdo natë mban roje në lagjen nga shtëpia e tij.

– Nuk fle deri në mëngjes

Nabil al-Kurd, 76-vjeçar, i cili natën është në gatishmëri për një bastisje të mundshme në lagje nga forcat izraelite ose kolonët hebrenj, fle vetëm pas ditës.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), gjyshi Nebil tha se çdo natë deri në mëngjes e shikonte lagjen nga kamerat kundër kërcënimit të dëbimit nga shtëpitë e tyre.

Duke u shprehur se banorët e tjerë të lagjes janë po aq të shqetësuar sa ai dhe se janë të shqetësuar për bastisjen e izraelitëve, i moshuari palestinez tha: “Kam frikë se mos më përzënë nga shtëpia në çdo moment. Kjo shtëpi është atdheu ynë. Këtu jam rritur, jam martuar. Këtu ka kaluar gjithë jeta ime”.

“Familja jonë është me origjinë nga Kudsi. Prindërit e mi u martuan në Kuds dhe më vonë emigruan në veri të Palestinës dhe u vendosën atje. Babai im kishte hapur një restorant në portin e Haifës. Ne jetonim në atë kohë në Nasira dhe unë linda atje. Më vonë u vendosëm ku ndodhej restoranti i babait tim në Haifa. Kur filloi lufta në vitin 1948, bandat izraelite filluan të sulmojnë palestinezët me eksploziv. Pas kësaj, palestinezët në këto rajone duhej të migronin nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre. Edhe ne erdhëm në Kuds”, tha ai.

Duke shtuar se babai i tij u arrestua nga një organizatë e armatosur hebreje për një kohë, pastaj familja e tij duhej të emigronte në Jordani, Kurd tha se ata u kthyen në Kuds pasi qëndruan në Jordani për një kohë të shkurtër.

– Si rezultat i marrëveshjes me OKB-në, ata u vendosën në Sheikh Jarrah

Duke treguar se kur u kthyen në Kuds, ata jetuan në një shtëpi prej 16 metrash katrorë të gjyshit të tij në lagjen Wadi el-Joz për një kohë, Kurd më tej tha se:

“Në vitet 1954-1956 u nënshkrua një marrëveshje midis qeverisë jordaneze dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinez (UNRWA). 28 familje në Kuds, përfshirë edhe ne, u zhvendosën në lagjen Sheikh Jarrah përmes Jordanisë në vitin 1956. Gjatë kësaj periudhe, qeveria jordaneze lidhi kontratë me ne, UNRWA na mori kartat e azilit dhe ne filluam të jetojmë në këto shtëpi në vitin 1956”.

Duke theksuar se ata kanë jetuar në shtëpinë e tyre në Sheikh Jarrah që nga ajo datë, Kurd tha se qeveria jordaneze nuk e ka përfunduar procesin e regjistrimit të shtëpive këtu për familjet rezidente.

Kurd tha se qeveria jordaneze filloi procesin e regjistrimit në vitin 1967, por kur filloi lufta, procedurat nuk mund të përfundonin, Izraeli duhet ta bënte këtë, por as ata nuk e bënë.

Ai thekson se autoritetet izraelite u përpoqën t’i dëbonin. Kurd shtoi se në vitin 1972, një organizatë kolonësh hebreje ngriti fillimisht një padi kundër 28 familjeve palestineze duke pretenduar se ky vend u përkiste atyre.

– Gjykata kërkon që ne të jemi qiramarrës

Duke treguar se gjykatat kanë vazhduar me ndërprerje që atëherë dhe deri më sot 12 familje janë dëbuar me forcë, Kurd tha se kundër tyre është ngritur një padi e re në vitin 2020 dhe është marrë vendim për evakuimin e 7 familjeve, por ata kanë kundërshtuar vendimin.

“Gjykata dëshiron që ne të pranojmë se këto shtëpi janë në pronësi të kolonëve hebrenj dhe ne të bëhemi qiramarrës. Kjo i lejon ata të na dëbojnë nga shtëpitë tona në çdo kohë. Prandaj, ne refuzuam propozimin e gjykatës për ‘qiramarrje mbrojtëse”.

Ai thotë se presin mbështetje nga bota islame kundër politikës së zhvendosjes së Izraelit. Kurd potencon se vendet islame, veçanërisht Jordania, duhet të shfaqin një qëndrim të qartë politik për këtë çështje.

Nga frika se do të bëhej refugjat për herë të dytë për shkak të këtyre politikave të Izraelit, gjyshi palestinez tha: “Ne kemi qenë një popull i mundur që nga viti 1948. Ne u dëbuam me forcë nga shtëpitë tona në vitin 1948. Ne nuk duam të na dëbojnë edhe një herë. Shpresoj se nuk do të dëbohemi më”.

– Babai i vëllezërve palestinezë që njoftuan botën për zhvendosjen

Gjyshi Nabil është babai i Muna al-Kurd, një aktiviste palestineze 23-vjeçare dhe vëllai i saj binjak, aktivisti Mohammed al-Kurd, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në shpalljen e kërcënimit të dëbimit kundër banorëve të lagjes Sheikh Jerrah në botë dhe u përfshi në “100 njerëzit më me ndikim të vitit 2021” të revistës “Time”.

Nabil al-Kurd tha se fëmijët e tij janë përpjekur të dokumentojnë dhe publikojnë shkeljet e kolonëve hebrenj në lagje që kur ishin të vegjël dhe se kur ata u rritën, ata u bënë zëri i lagjes.

Vëllezërit aktivistë palestinezë, të cilët kanë mbi 2.5 milionë ndjekës në Instagram, po përpiqen me postimet e tyre t’i shpallin mbarë botës paligjshmërinë në distriktin Sheikh Jarrah dhe sulmet e policisë izraelite.

Aktivistët palestinezë, përfshirë Muna dhe vëllain e saj binjak Mohammed, nisën një fushatë në Twitter me hashtagun #SaveSheikhJarrah për të tërhequr vëmendjen për atë që ndodhi në Sheikh Jarrah dhe për një kohë të shkurtër ky hashtag hyri në agjendën botërore.

– Propozimi i gjykatës izraelite për qira

Më 4 tetor, Gjykata e Lartë e Izraelit propozoi “qiramarrje mbrojtëse” për familjet palestineze që përballeshin me kërcënimin e dëbimit me forcë në lagjen Sheikh Jarrah.

Sipas propozimit të gjykatës, e cila parashikon që familjet palestineze të njihen si “qiramarrës mbrojtës” për 15 vjet ose derisa të arrihet një marrëveshje tjetër, familjet palestineze të përballur me kërcënimin e konfiskimit të shtëpive të tyre, do t’i paguajnë qiranë gjatë kësaj kohe një shoqate hebreje të quajtur “Nahalat Shimon”, e cila pretendon se zotëron tokën në të cilën janë ndërtuar shtëpitë.

Familjet palestineze, përfshirë edhe familjen Kurd, e refuzojnë këtë propozim të gjykatës dhe vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mos humbur shtëpitë e tyre.

Kategoritë
BotaLajme