Gjysma e të rinjve amerikanë mendojnë se demokracia në SHBA është “në telashe” ose “po dështon”

39 për qind e shohin demokracinë si “në telashe” dhe 13 për qind shkojnë aq larg sa ta shpallin kombin një “demokraci të dështuar”, thuhet në rezultatet e anketës së Institutit të Politikës në Harvard Kennedy School

Më shumë se gjysma e amerikanëve të moshës 18-29 vjeç besojnë se demokracia në SHBA ose është “në telashe”, ose “po dështon”, sipas një ankete të re, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga 52 për qind që kanë këtë bindje, 39 për qind e shohin demokracinë si “në telashe” dhe 13 për qind shkojnë aq larg sa ta shpallin kombin një “demokraci të dështuar”, thuhet në rezultatet e anketës së Institutit të Politikës në Harvard Kennedy School të publikuar sot.

Ndërsa 7 për qind e të rinjve amerikanë e shohin SHBA-në si një “demokraci të shëndetshme”, kurse 27 për qind e përshkruan kombin si “demokraci disi funksionale”.

Ndërsa demokratët janë pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë për gjendjen e demokracisë amerikane (44 për qind e shëndetshme/disi funksionale dhe 45 për qind në telashe/e dështuar), një shumicë e madhe e republikanëve, 70 për qind, e shohin atë ose si një demokraci në telashe (47 për qind) ose të dështuar (23 për qind).

Anketa zbuloi gjithashtu se shkalla e pëlqimit për presidentin Joe Biden midis të rinjve amerikanë ka rënë në 46 për qind.

Në hulumtim janë anketuar 2.109 pjesëmarrës nga data 26 tetor deri më 8 nëntor.

Kategoritë
BotaLajme