Gruaja nga Peja, bashkë me foshnjën e saj, u mbajt e mbyllur brenda dhomës për më shumë se dy muaj

Një grua, së bashku me foshnjën e saj tetëmuajshe, është mbajtur kundërligjshëm e mbyllur brenda një dhome.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha në emisionin Infoklania në Radio Klan Kosova FM, se viktima ishte mbajtur aty për më shumë se dy muaj.

Gashi tha se gruaja e kishte lajmëruar vetë rastin në polici.

“Është një kohë bukur e gjatë që ajo është mbajtur brenda. Nuk po më kujtohet saktë por është një kohë e gjatë. Ka më tepër se një muaj, dy muaj, që i është kufizuar liria e lëvizjes”.

“Rasti është në fazën fillestare, është duke u hetuar dhe ne nuk kemi shumë informacione. Rastin e ka lajmëruar ajo dhe policia i është përgjigjur këtij rasti”.

“Rasti është cilësuar “Privim i kundërligjshëm i lirisë”. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit dhe për momentin nuk mund të jap diçka më tepër lidhur me këtë rast. Vendimin lidhur me të dyshuarin, i cili është arrestuar, e merr Prokurori i Shtetit”.

Kategoritë
LajmeVendi