Guvernatori Mehmeti dhe ambasadori turk Sakar flasin për zhvillimet e fundit në ekonomi

Mehmeti falënderoi shtetin e Turqisë për ndihmën dhënë Kosovës dhe për bashkëpunimin, si dhe projektet e realizuara deri më tani, derisa shprehu gatishmërinë dhe interesimin që bashkëpunimi të avancojë tutje

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur njoftimi për media nga Banka Qendrore, guvernatori Mehmeti dhe ambasadori Sakar kanë folur në takim për zhvillimet e fundit ekonomike në vend.

“Guvernatori Mehmeti e ka njoftuar ambasadorin me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, masat e ndërmarra nga ana e BQK-së, që nga fillimi i pandemisë, gjë që ka ndikuar që ky sektor të mbetet stabil dhe likuid, si dhe i gatshëm për të ndihmuar në çdo kohë qytetarët dhe ekonominë e vendit për të kaluar situatën me pandeminë në të cilën gjendet edhe vendi ynë”, shkruan në njoftim.

Bëhet e ditur se guvernatori Mehmeti falënderoi shtetin e Turqisë për ndihmën dhënë Kosovës dhe për bashkëpunimin, si dhe projektet e realizuara deri më tani, derisa shprehu gatishmërinë dhe interesimin që bashkëpunimi të avancojë tutje.

Nga ana tjetër, ambasadori Sakar vlerësoi lartë të arriturat e sistemit financiar të Kosovës dhe shprehu përkushtimin për angazhim në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi