Hapet Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, merr pjesë edhe Turqia

Në panairin që mbahet në datat 1-4 dhjetor në Tiranë marrin pjesë dhjetëra kompani ndërkombëtare dhe lokale në fusha si ndërtimi, energjetika, industria e rëndë dhe e lehtë, ushqimi, modë, tekstilet, artizanati dhe sektorë të tjerë

Në Shqipëri është hapur edicioni i 27-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, ku për disa ditë me radhë kompani nga vende të ndryshme do të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në disa sektorë, ndërkohë pjesë e panairit janë edhe kompani nga Turqia në sektorë të ndryshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së panairit të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, nënkryetari i Dhomës së Tregtisë të Stambollit (İTO), İsrafil Kuralay, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, të institucioneve të tjera shqiptare, si dhe përfaqësues të dhomave të biznesit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, tha se bashkëpunimi mes vendeve prodhon diçka që është më cilësore, diçka që përballon më mirë “garën e egër ndonjëherë për produkte e për të gjetur tregje”.

Veliaj shtoi më tej se “E kemi të lidhur fatin bashkë, jemi shumë pak për t’u përçarë, jo vetëm politikisht por edhe si treg, jemi shumë treg i vogël, nëse secili bën betejat individuale, tregu individual, llogaritë individuale; nëse bëjmë një llogari të përbashkët, jemi win-win, fitojnë të gjithë”.

“Më vjen shumë mirë që kemi miqtë, vëllezërit tanë nga Turqia, shoh ambasadorin këtu. Unë sapo jam kthyer nga Stambolli ku edhe si kryetarë bashkish, po mundohemi të forcojmë raportet mes vendeve tona, duke kuptuar që një treg më i madh na bën edhe më të fuqishëm, edhe në marrëdhënie me BE-në, edhe në marrëdhënie me palë të treta, ku ne mund të ofrojmë një produkt ballkanik”, u shpreh Veliaj.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë të Stambollit, Kuralay, tha se sot mblidhen së bashku në sajë të lidhjeve të ngushta qindravjeçare historike, ekonomike dhe kulturore që nga periudha osmane e deri në ditët e sotme.

“Përherë kemi treguar përpjekjet tona serioze për të forcuar lidhjet tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë në Ballkan. Edhe sot vijojmë të punojmë në këtë drejtim. Dhoma e Tregtisë e Stambollit e cila ofron shërbimin e saj që prej 139 vitesh me anëtarët e saj të regjistruar që përkojnë rreth 640.000, është një institucion udhëheqës që i jep drejtim jetës tregtare në Turqi”, tha Kuralay.

Kuralay theksoi se me investimet turke të kryera në Shqipëri është mundësuar punësimin e 15 mijë personave.

“Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm me pozicionin gjeografik në Ballkan dhe me portet e rëndësishme. Lidhja e afërt gjeografike, kulturore dhe historike padyshim është një mundësi mjaft e madhe për arenën e biznesit që përfaqësojmë”, u shpreh ndër të tjera Kuralay.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Enkelejda Muçaj, e cila duke iu referuar edhe bashkëpunimit rajonal, tha se ministria që ajo përfaqëson punon në terren për ta bërë këtë bashkëpunim të mundur.

Në panairin që mbahet në datat 1-4 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë marrin pjesë dhjetëra kompani ndërkombëtare dhe lokale në fusha si ndërtimi, energjetika, industria e rëndë dhe e lehtë, ushqimi, modë, tekstilet, artizanati dhe sektorë të tjerë. Panairi organizohet nga zyra e Klik Ekspo Group and Tirana International Fair, që ka si fokus të veprimtarisë së saj organizimin e panaireve, ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kategoritë
LajmeRajoni