Hapet pas dy muajsh automjeti në oborrin e stacionit policor në Prizren, gjenden armë, municion e shufër metalike

Një automjet i tipit “Passat” me targa të falsifikuara, që po qëndronte në oborrin e stacionin policor “Alfa”, në Prizren, tash e më shumë se dy muaj, pasi ishte gjetur i braktisur më 8 tetor në rrugën “Saranda” të lagjes “Ortakoll”, është hapur sot nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Brenda automjetit të dyshimtë, Policia ka gjetur elemente të dyshimta që mund të jenë përdorur në raste kriminale si:

  • 1 pushkë automatike AK47 dhe një karikator,
  • 13 fishekë të kalibrit të panjohur,
  • 1 maskë e zezë,
  • 2 targa me numër të ndryshme të automjetit
  • 1 shufër metalike
  • Disa elemente, si boca plastike të zbrazëta,
  • Rroba sportive, etj.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Shaban Osmanollaj, tha për Gazetën Sinjali se deri më tani nuk është paraqitur pronari ose poseduesi i këtij automjeti dhe me urdhër të Prokurorisë, Policia e ka hapur sot.

Gjatë kontrollit të automjetit WV Pasat policia gjeti elemente të dyshimta, ku dyshohet se kishte ndërhyrje në automjet në disa pjesë për çka hetuesit do të zhvillojnë hetime të mëtutjeshme. Për të gjitha këto u informua prokuroi i Shtetit, i cili udhëzoj që rasti të hetohet për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe municionit’”, tha ai.

Zëdhënësi i policisë bëri të ditur se policia është duke punuar për identifikim e personit apo personave të dyshimtë për braktisje të automjetit me gjetjen e elementeve kriminale.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Prizren lidhur me këtë rast, për të kuptuar se pse ka qëndruar aq gjatë automjeti pa u hapur, por nuk ka pranuar përgjigje deri të publikimin e këtij artikulli.

Kategoritë
LajmeVendi