Hapet ura “Çanakkale 1915”, e quajtur ndryshe “Gjerdani i Dardaneleve”

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan mori pjesë në ceremoninë e hapjes së urës së varur më të gjatë në botë, kushtuar 107-vjetorit të fitores historike në Betejën e Çanakalasë.

Të premten, më 18 mars, Turqia organizoi ceremoninë e vënies në punë të urës së varur “Çanakala-1915” që bashkon dy anët e Dardaneleve.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mori pjesë në ceremoninë e hapjes së urës së varur, kushtuar 107-vjetorit të fitores historike në Betejën e Çanakalasë.

Në fjalën e tij udhëheqësi turk vuri në dukje se ura mbi Dardanele është ura më e gjatë në botë për “hapësirën qendrore më të gjatë” që ka; ajo është një tjetër simbol i zhvillimit dhe fuqisë së Turqisë.

Erdoan kujtoi se megaprojekti i ndërtimit u zbatua në një kohë rekord, 4 vjet.

Në vijim të fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së urës “Çanakkale 1915” dhe autostradës “Malkara-Çanakkale”, Presidenti Erdogan tha se ura ka kuptime të ndryshme me çdo veçori teknike të saj:

“Viti 1915 që ndodhet në fillim të emrit të urës sonë, është viti kur ne fituam fitoren detare në Çanakala, e cila u bë skenën e betejave më të përgjakshme dhe më shembullore të Luftës së Parë Botërore; lartësia e kullës prej 318 metrash nënkupton 18 marsin, 3 është muaji mars, kurse 18 është data e sotme. Ndërsa gjatësia e hapësirës qendrore mes këmbëve është 2023 metra, kjo simbolizon vitin 2023, që është 100-vjetori i krijimit të Republikës sonë dhe i synimeve të mëdha që ne i kemi atribuuar kësaj date”.

Sipas kreut të shtetit, kostoja totale e projektit arriti në 2 miliardë e 545 milionë euro, gjë që e redukton kohën e udhëtimit midis brigjeve aziatike dhe evropiane të Dardaneleve nga një orë e gjysmë (me traget) në 6 minuta.

“Ngushtica e Dardaneleve, e cila ka qenë djep i kulturave të ndryshme për mijëra vjet, sot hap një faqe të re zhvillimi. Ura e Çanakalasë është ura më e gjatë në botë për sa i përket hapësirës qendrore (2023 m). Turqia ka lënë pas Japoninë në këtë tregues. Tre nga 10 urat me hapësirat më të gjata qendrore në botë ndodhen në Turqi, gjë që është gjithashtu një krenari për vendin tonë”,- tha Erdoan.

“Me këtë investim Turqia nuk do të kursejë vetëm kohë, por do të kursejë në vit 415 milionë euro vetëm nga karburantet dhe emetimet. Llogaritjet e bëra tregojnë që impakti pozitiv ekonomik i urës do të jetë 5,3 miliardë euro, do të hapen 118.000 vende pune dhe GDP-ja do të rritet me 2,4 miliardë euro”, tha udhëheqësi turk.

Presidenti Erdogan solli në kujtesë se ura mbi Ngushticën e Dardaneleve është ndërtuar sipas modelit PPP (Ndërto-Administro-Transfero), i njohur ndryshe edhe si bashkëpunimi publiko-privat. “Turqia renditet e treta në Evropë dhe e 13-ta në botë për sa i përket efektivitetit të modelit të partneritetit publiko-privat”, tha ai.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Boo-Kyum, i cili në fjalën përshëndetëse tha se ura “Çanakkale 1915” do të jetë një urë që hap epokën e paqes dhe besnikërisë ndërmjet lindjes dhe perëndimit.

“Ura Çanakkale 1915” është e rëndësishme edhe në aspektin e logjistikës ndërkombëtare”, shtoi kryeministri koreanojugor.

Kategoritë
BotaLajme