Haradinaj takohet me shqiptarët në Mitrovicë të Veriut

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me drejtuesit e degëve të AAK-së, në Mitrovicë të Veriut, në Mitrovicë të Jugut, në Albanik, Boletin e Çabër.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj, ka thënë se kjo pjesë e Kosovës ka qenë prioritet i qeverisë së Haradinajt, ku, sipas tij, u orientuan mbi 121 milionë euro, shkruan lajmi.net.

“Sot takova drejtuesit e degëve të Aleancës në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Albanik, Boletin e Çabër. Në momentin që mora drejtimin e qeverisë, kjo pjesë e rëndësishme e Kosovës u vendos në prioritete të politikave qeveritare, ku orientuam mbi 121 milionë euro në projekte madhore”, ka thënë Haradinaj.

Postimi i tij:

Aleanca gjatë tërë historisë së saj politike kishte një qasje shumë të sinqertë ndaj rajonit të Mitrovicës. Në momentin që mora drejtimin e qeverisë, kjo pjesë e rëndësishme e Kosovës u vendos në prioritete të politikave qeveritare, ku orientuam mbi 121 milionë euro në projekte madhore.

Sot takova drejtuesit e degëve të Aleancës në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Albanik, Boletin e Çabër. Biseduam për aktualitetin politik, sfidat e organizmit si dhe për procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake.

I sigurova për mbështetjen time të plotë, si në kohën kur Kosovës i kthyem Trepçën, i themeluam Ushtrinë dhe i fuqizuam Policinë që mbrojti rendin e ligjin në çdo cep të vendit.

Mitrovica jonë e zemrës, ka kuadro profesionale e me integritet, të gatshëm të bashkohen në familjen tonë politike, pasi që ishte Aleanca e cila më së shumti bëri kujdes për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të këtij rajoni. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi