Hasani: Nuk parashihen sanksione kundër ministrave që shkelin Kushetutën

Sot bëhen 14-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka rikujtuar disa nga rastet e shkeljeve penale nga ana e qeverive ndër vite. Ai më tej ka treguar edhe për rolin e presidencës në raste të shkeljeve nga ekzektivi dhe nëse kryeministri duhet marrë ndonjë veprim në raste të shkeljeve nga ana e ministrave.

Gjatë ditës së djeshme Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga ministrja Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qendron Kastrati.

Lidhur me këtë rast ka folur ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Hasani tha se nuk ekziston ndonjë masë kushtetuese që duhet të merret nga kryeministri kundër shkeljeve penale të ministrave.

“Nuk ekzistojnë masa që mund të merren kundër ministrave kur ata, me vendimet e tyre, gjenden në shkelje të Kushtetutës. Përgjegjësia e ekzekutivit është kryesisht politike dhe penale. Nuk ka sanksion kushtetues për vendimmarrje që kryhet gjatë ushtrimit të funksionit si anëtar qeverie”, tha ai.

I pyetur për rastet e shkeljeve të Kushtetueses nga ana e zyrtarëve qeveritar, Hasani tha Qeveria Hoti nuk e ka shkelur asnjëherë kushtetutën, por që Gjykata Kushtetuese ka vepruar gabim me rastin e rrëzimin nga posti i kryeministrit Avdullah Hotin.

“Në rastin Hoti nuk ka pasur asnjë shkelje kushtetuese por vendim të Gjykatës Kushtetuese që gabimisht ka vendosur kundër garancioneve kushtetuese nga neni 45 i Kushtetutës së Kosovës. Një përbërje tjetër e Gjykatës Kushtetuese heret a vonë do të korrigjoj këtë gabim, ose Kuvendi do të bëj amendamentimin kushtetues që korrigjon një gabim të tillë”, tha Hasani.

Hasani ka përmendur rastin e shkeljeve së kushtetutës nga ana e Qeverisë Kurti 1 dhe 2. Ai tha se Qeveria Kurti 1 gjatë periudhës së pandemisë ka vepruar kundër udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Në rastin e qeverisë Kurti 1 ka pasur shkelje gjatë kohës së pandemisë: Qeveria vepronte kundër udhëzimeve të qarta të Gjykatës Kushtetuese, të dhëna në vendimin e saj paraprak se si duhej të administrohej gjendja e pandemisë. Kjo përbën precedent të keq”, tha Hasani për Insajderin.

Ndërsa në rastin e Qeverisë Kurti 2, ai përmendi shkeljen nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Hasani tha se Gjykata i tregoi pushtetit qëndror se nuk duhet të ndërhyjë në punët e pushtetit lokal.

“Në rastin e qeverisë Kurti 2 kemi parë cenim të Kushtetutës para dy ditëve, rasti MAShTI me komunën e Kamenicës. Në këtë rast Gjykata Kushtetuese me plot të drejtë dhe me një arsyetim profesional të thurrur bukur, e ka shpjeguar shkeljen dhe ndalimin e ndërhyrjes së pushtetit qendror ekzekutiv në punët e garancioneve kushtetuese të pushtetit vendor. Me këtë vendim Gjykata i ka treguar ekzekutivit kosovar se cilët janë kufijt e veprimit dhe kontrollit të qeverisë ndaj pushtetit vendor”, ka thënë Hasani.

Hasani tha se presidentja nuk ka ndonjë mundësi ndikimi ndaj anëtarëve të Qeverisë.

“Presidenti i Republikës në sistemin tonë kushtetues nuk ka asnjë ingerencë ndaj anëtarëve të Qeverisë. Kjo e fundit, pra Qeveria, i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës, askujt tjetër. Kurse Presidenti i Republikës i përgjigjet vetëm Kushtetutës dhe ligjit”, tha Hasani.

Kujtojmë se edhe në vitet e mëparshme ka pasur shkelje të ligjeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e zyrtarëve qeveritar.

Në shtator të 2010-ës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dha dorëheqje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës duke mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në të njëjtën kohë.

Po ashtu në maj të vitit 2011, Gjykata Kushtetuese e shpalli jo kushtetues vendimin e Parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit Behgjet Pacolli. Me shumicë votash, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën se zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës ishte jokushtetuese.

Ndërsa në mars të 2020, Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, duke shpallur, të pavlefshëm vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, kundër masave antiCOVID.

Kategoritë
LajmeVendi