Haxhiu: Shumë shpejtë do ta procedojmë në Kuvend Projekt-kodin Civil

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se shumë shpejtë do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës Projekt-kodi Civil.

Ajo në një konferencë për media bashkë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se dispozitat dhe normat në Kodin Civil janë të avancuara me standardet ndërkombëtare.

“Dhe si të tilla janë të mirëseardhura dhe në këtë drejtim falënderoj BE-në. Momentin që e kam pranuar detyrën duke konsideruar prioritet kodin civil kemi shtruar çështjen e martesave, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, trashëgiminë etj. Edhe është me rëndësi ta procedojmë në kuvend”, u shpreh Haxhiu para mediave të premten, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, ambasadori Szunyog tha se është i lumtur që ky projekt i cili ka zgjatur shtatë vite, tashmë është finalizuar.

“Ky projekt ka kaluar nëpër zyrat e gjashtë ministrave të drejtësisë. Besoj është diçka e jashtëzakonshme që kemi arritur të ofrojmë një draft që mendojmë se është një model gjithëpërfshirës. Ky draft është zhvilluar me asistencën e BE-së. Gjatë këtij procesi i është garantuar vëmendje e theksuar të drejtave të njeriut që janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Szunyog përmendi edhe disa nga përfitimet që vijnë nga kjo pjesë e legjislacionit.

“Disa prej tyre janë sigurimi i barazisë së grave, përmirësimi i të drejtave të fëmijëve, rregullimi i martesave të gjinisë së njëjtë etj”, tha ai, duke shtuar se është e rëndësishme që ky draft të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Është përgjegjësi e Qeverisë dhe Kuvendit që të përfundojnë krijimin e Kodit Civil dhe të siugurojnë zbatimin e tij”

Kategoritë
LajmeVendi