Haxhiu u bën thirrje punëtorëve të administratës ta ndërpresin grevën – Lëndët e vjetra të grumbulluara, sfidë për gjyqësorin

Demokraci Plus ka mbajtur tryezë diskutimi për rëndësinë dhe gjendjen e drejtësisë procedurale në shtatë gjykatat themelore të Kosovës. Aty u tha se një nga çështjet që përballet gjyqësori janë lëndë të vjetra të grumbulluara, raporton Ekonomia Online.

Fillimisht, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje punëtorëve të administratës së gjykatave që ta ndërpresin grevën pasi siç tha ajo, po punohet për realizimin e kërkesave të tyre.

Sipas saj, s’ka arsye greva dhe këtë po e pësojnë qytetarët më së shumti.

“Kemi pasur edhe takime me ta, i kemi pritur andaj mendoj se kjo nuk i përshtatet qytetarëve, do të ishte shumë normale nëse institucionet nuk i përfillin kërkesat e juaja, mirëpo ne jemi duke i shqyrtuar kërkesat e juaja”, tha Haxhiu.

“Një nga çështjet që përballet gjyqësori janë lëndë të vjetra të grumbulluara. Këshilli ka bërë një plan se si kjo të adresohet. Raportet e komisionit evropian në mënyrë të vazhdueshme theksojnë çështjen e lëndëve civile. Në baza ditore jemi duke u përballur edhe ne si Ministri e Drejtësisë. Është problem që e shohim në takime me qytetarë. Si ministri i kemi dhënë mbretje procedurale të drejtave të njeriut. Grupi punues është duke adresuar këtë problem. Ani pse zvarritja e procedurave është problem kompleks sepse evidentohet në raportin e Venecias. Ne mbetemi të përkushtuar në reformat për drejtësi”, tha ministrja Haxhiu.

E Albana Rexha nga Demokracia Plus, tha se gjatë anketës që e kanë zhvilluar ata, 53 për qind e përdoruesve në gjykata nuk e dinë se ekziston kutia e ankesave, ndërsa 69 për qind nuk kanë njohuri që mund të parashtrojnë ankesa.

“Është drejtësia procedurale ajo që trajton drejtësinë dhe janë katër shtylla kryesore të cilat hasin në probleme të shumta gjatë zbatimit. Ne kemi zhvilluar dy anketa ku 53 për qind të përdoruesve në gjykata nuk e dinë se ekziston kutia e ankesave. 69 për qind nuk kanë njohuri që mund të parashtrojnë ankesa. Të gjithë pajtohemi se drejtësia procedurale nuk është zgjidhja e gjitha probleme në sistemin e drejtësisë. Gjykatat themelore të informojnë qytetarët për ekzistimin e kutive të ankesave”, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi mbi rëndësinë dhe gjendjen e drejtësisë procedurale në shtatë gjykatat themelore të Kosovës si dhe prezantimi i studimit të vlerësimit të titulluar “Raport vlerësimi mbi aplikimin e drejtësisë procedurale në shtatë gjykatat themelore të Kosovës”.

Kryesuesi Zogaj theksoi se ky raport do ti shërbejë sistemit gjyqësor për adresimin e të gjitha rekomandimeve të dalura nga kjo tryezë, me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe transparencës brenda sistemit gjyqësor.

Kategoritë
LajmeVendi