Holandë, kryeministri Rutte fiton mandatin e katërt

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, mund ta qeverisë vendin për herë të katërt me aleatët.

Partia Popullore për Liri dhe Demokraci doli partia e parë me 35 nga 150 mandate në zgjedhjet e përgjithshme treditore.

Kryeministrit Rutte i duhen 76 deputetë për shumicën parlamentare.

“Kam pasur nderin të administroj kriza të mëdha, nga recesioni ekonomik, te kriza e refugjatëve dhe tani edhe krizën e koronavirusit. Na ka rënë përgjegjësi e madhe, por kam energjinë të udhëheq edhe për 10 vite të tjera,” tha Rutte.

Pandemia dhe menaxhimi i saj nga qeveria ishin krye-tema e debateve televizive gjatë fushatës.

Koalicioni qeverisës arriti rezultat më të mirë, ndërsa partia kryesore opozitare e nacionalistit, Gert Wilders, doli e treta.

“Sigurisht, kisha shpresuar për më shumë sesa 17 mandate. Por mendoj se në vitet që vijmë ne do të jemi ende zëri më i fortë dhe entuziast i opozitës kundër partisë në pushtet,” tha Wilders.

37 parti politike garuan përgjatë tri ditëve për postet parlamentare, ndërsa pjesëmarrja në votime ishte gati 80 për qind.

Zgjedhjet u shtrinë në tri ditë për të shmangur flukset e votuesve në rrethanat e pandemisë.

Kategoritë
BotaLajme