Homazhe për Shireen Abu Akleh, qindra palestinezë nderuan gazetaren e vrarë

Varrimi do të bëhet nesër në Kudsin Lindor të pushtuar.

Sot në Ramallah të Bregut Perëndimor të pushtuar u mbajtën homazhe për gazetaren e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, e cila u vra gjatë raportimit të bastisjeve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Varrimi do të bëhet nesër në Kudsin Lindor të pushtuar.

Kortezhi me trupin e gazetares së vrarë marshoi para spitalit Istishari në Ramallah drejt zyrës së presidentit palestinez.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, së bashku me zyrtarë të lartë palestinezë, morën pjesë në homazhe.

Qindra palestinezë u mblodhën në rrugë për të nderuar gazetaren Abu Akleh.

Abbas beson se Izraeli është përgjegjës për vrasjen e gazetares.

“Okupatorët nuk do ta fshehin të vërtetën dhe krimi nuk duhet të mbetet i pandëshkuar”, tha presidenti palestinez.

Abbas tha se Palestina nuk do të pranojë hetime të përbashkëta me Izraelin për vrasjen e Abu Akleh.

“Refuzojmë hetimet e përbashkëta me autoritetet izraelite sepse ata kanë kryer krimin dhe nuk u besojmë atyre”, tha presidenti palestinez.

Ai premtoi se do ta çojë çështjen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Duke lavdëruar gazetaren e vrarë, Abbas tha se ajo ishte “një zë i ndershëm dhe patriotik”.

Ai tha se është vendosur që t’i jepet medalja “Ylli i Kudsit”.

Abu Akleh ndërroi jetë pasi u qëllua teksa raportonte për një bastisje të forcave izraelite në qytetin e Jeninit. Gazetari tjetër, Ali al-Samoudi, u qëllua pas shpine, tha të mërkurën Ministria e Shëndetësisë palestineze.

Abu Akleh lindi në Kuds në vitin 1971 dhe u diplomua për gazetari në Universitetin Yarmouk në Jordani.

Kanali televiziv me bazë në Katar, Al Jazeera, ka akuzuar forcat izraelite për vrasjen e qëllimshme të gazetares Shireen Abu Akleh në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Një deklaratë nga Al Jazeera tha se ajo ishte “vrarë me gjakftohtësi” nga forcat izraelite. Vrasja u quajt “një krim i urryer, i cili synon vetëm të pengojë mediat të kryejnë detyrën e tyre”.

Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë njerëzit duke e bartur gazetaren e Al Jazeera në një makinë, ndërsa ajo kishte veshur një jelek antiplumb ku shkruhej “Press”.

Kategoritë
BotaLajme