Hoti: Do të përmbyllim vitin 2021 me liberalizim të vizave

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur tubim elektoral në Podujevë, ku ka kërkuar votën e qytetarëve të kësaj komune në zgjedhjet e 14 shkurtit. Aty Hoti ka thënë se kanë plan të qartë për katër vitet e ardhshme nëse drejtojnë ekzekutivin, duke theksuar 4 miliardë euro investime në sektorin publik, riorganizim të sektorit shëndetësor dhe arsimit në Kosovë.

Në Podujevë, Hoti ka thënë se do fuqizojnë rendin dhe ligjin në Kosovë.

Hoti: Planifikojmë 4 miliardë investime në sektorin publik

“Ne kemi plan të qartë për katër vitet e ardhshme për investime prej 4 miliardë euro në sektorin publik, prej të cilave 1 miliardë janë të planifikuara nga marrëveshja e Uashingtonit, ne kemi plan të qartë për shëndetësi, kemi me riorganizua sistemin shëndetësor ashtu që asnjë person me sëmundje kronike mos me pas mungesë të mjekut as barnave, kemi me u siguru që në asnjë spital nuk mungojnë barnat elementare, kemi me u siguru që nuk shpenzohen miliona euro në shërim jashtë vendit nga qytetarët e vendit dhe kemi me marrë veprime konkrete për këtë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se me të në krye të qeverisë, liberalizimi i vizave për kosovarët do të arrihet në fund të këtij viti.

Hoti: Do të përmbyllim vitin 2021 me liberalizim të vizave

“Veç me një qeveri të tillë të vendosur që fuqizon rendin, ligjin, kushtetutën, ne kemi me mbyllë vitin 2021 me liberalizim të vizave, sepse thjeshtë vetëm neve na besojnë, vetëm ne jemi anëtarë të Partive Popullore Evropiane. Njerëz që lidhin shirita të kuq rrugëve të qyteteve që promovojnë mentalitetin e të kaluarës nuk kanë vend në Evropë, nuk liberalizohen vizat me ta, nuk zhvillohet ekonomia me ta sepse ata bizneset i shohin vetëm si oligarkë për t’i shtypur, ne i shohim bizneset si mundësi për zhvillim dhe punësim”, ka thënë Hoti.

Para qytetarëve të Podujevës, Hoti ka folur për marrëveshjen e Uashingtonit, njohjen e Kosovës nga Izraeli e dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione paqeruajtëse me ushtrinë amerikane, duke i numëruar suksese të qeverisë që ai e ka drejtuar.

Hoti ka thënë se ka pasur guxim të përballet me tema të mëdha, që sipas tij, dy kryeministra para tij janë rrëzuar në pamundësi që të marrin përsipër procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Para qytetarëve të Podujevës ka folur edhe kandidati për deputet, Agim Veliu.

Veliu: Nuk do të lejojmë që dikush i cili synon pushtet absolut ta vë në sprovë partneritetin me aleatët perëndimor

“Nuk do të lejojmë që dikush që synon pushtet absolut ta vë në sprovë partneritetin tonë me aleatët perëndimor dhe të rrëmojë mbi themelet e shtetit. Brigadat e kuqe promovuese të diktaturës komuniste, marksiste e leniniste, sistemit që i solli vetëm të këqija popullit shqiptar sërish kanë dalë në sipërfaqe për të mbjellë farën e së keqes, ata këto ditë, për të dëshmuar se kush janë po shpërndajnë e lidhin shirita të kuq gjithandej nëpër Kosovë, po e bëjnë këtë për të treguar se nëse do të realizojnë ëndrrën e tyre do ta skuqin Kosovën pas 14 shkurtit, por jo ne nuk do të t’i lejojmë”, ka thënë Veliu.

Ndërsa, kreu i Aleancës Kosova e Re, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garojnë në listë të LDK-së, Behgjet Pacolli tha se LDK është partia që i duhet Kosovës.

Pacolli: LDK e dërgon Kosovën në drejtimin e duhur

“Asnjëherë mos të ketë dyshim se Lidhja Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e themeluar nga presidenti historik Ibrahim Rugova, e qon Kosovën aty ku duhet, e drejton Kosovën në drejtim të duhur dhe nuk duhet të mashtrohemi prej interferencave, prej njerëzve siç e tha edhe parafolësi, që kanë ardhur Zoti e di prej ku dhe duan ta kthejnë këtë vend në vitet 70, ne e dimë atë kohë, e dimë kobin e asaj kohe, prandaj t’i lëmë anash ata e të ecim përpara, si gjithmonë Podujeva ka treguar se është e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Kategoritë
LajmeVendi