Hoti kërkon nga Komisioni Hetimor për energji elektrike të qartësojë katër çështje

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se pas publikimit të opinionit të Avokatit të Popullit rreth tarifave të energjisë elektrike, Komisioni Hetimor Parlamentar për energji elektrike, duhet që sa më parë të qartësoj katër çështje.

” Avokati i Popullit vlerëson se tarifat e reja të energjisë elektrike kanë elemente diskriminuese, vlerësim ky në linjë me vendimet e organeve të drejtësisë. Dje është publikuar Opinioni i Avokatit të Popullit, ku theksohet se subvencionimi i plotë nga Qeveria i kostos së ngritur të energjisë për konsumatorët biznesorë, por jo për konsumatorët e amvisërisë, paraqet diskriminim. Edhe pse “Opinioni i Avokatit të Popullit” nuk arrin të bëjë dallimin sa i përket funksionimit të tregut të energjisë krahasuar me tregjet e mallrave dhe shërbimeve të tjera që operojnë në kushte të konkurrencës pothuajse të plotë, ai është në linjë me vendimin e institucioneve të drejtësisë të publikuar para disa ditësh”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Sipas tij, Komisioni Hetimor Parlamentar duhet sa më parë të qartësojë për qytetarët këto çështje:

– kronologjinë e veprimeve dhe mosveprimeve të të gjitha institucioneve përkatëse,

– ku janë shpenzuar 100 milionë euro dhe përse është dashur të rriten tarifat me gjithë këtë subvencionim gjeneroz të Qeverisë,

– të shqyrtojë me rigorozitet “pavarësinë” në vendimmarrje të ZRRE-së kur janë përcaktuar tarifat e reja,

– përse ka ndryshime substanciale në mes të “Raportit konsultativ për shqyrtimin e strukturës tarifore” të datës  17 janar 2022 dhe “Vendimit për tarifat e reja” të datës 8 shkurt 2022, pasi në raportin konsultativ propozohet rritje për 9% të tarifave, ndërkaq në vendimin për tarifa të reja është vendosur krejt tjetër gjë.

Kategoritë
LajmeVendi