Hoxhaj: Bashkë me ShBA-në, asnjëherë s’do ndalemi së kërkuari drejtësi për vëllezërit Bytyqi

Ish u.d. i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, për të cilët edhe 22 vite pas krimit, drejtësia nuk ka arritur të gjejë fajtorin.

Ai ka thënë se Serbia jo vetëm që ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë, por i ka mbrojtur dhe glorifikuar kriminelët.

“Vetëm ditë me parë, xhandarmëria serbe dekoroi me medalje ish-komandantin e saj, Goran Radosavljevic, veprim ky që me të drejtë nxiti reagimin e ambasadës amerikane”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se në përvjetorin e kësaj vrasje makabre, Kosova është besimplotë se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë dhe se së bashku me SHBA-të, asnjëherë nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi për vëllezërit Bytyqi, të cilin kishin lënë Amerikën për të luftuar në Kosovë.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

22 vite pas vrasjes së vëllezërve Bytyqi, ende asnjë fajtor i kapur dhe dënuar për këtë krim. Serbia jo vetëm që ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë, por i ka mbrojtur dhe glorifikuar kriminelët. Vetëm ditë më parë, xhandarmëria serbe dekoroi me medalje ish komandantin e saj, Goran Radosavljevic, veprim ky që me të drejt nxiti reagimin e ambasadës amerikane. Ai konsiderohet ndër njerëzit kryesor përgjegjës të përfshirë në vrasjen e shqiptaro-amerikanëve, vëllezërit Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi.

Pikërisht sot në përvjetorin e vrasjes makabre e tinëzare të tyre, jemi besimplotë se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë. Bashkë me SHBA-të, asnjëherë nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për vëllezërit Bytyqi, të cilët kishin lënë Amerikën për të luftuar në Kosovë. Iliri dhe familja Bytyqi asnjëherë nuk kanë reshtur së kërkuar drejtësi. Ata janë një shtyllë e fortë e miqësisë tonë të shenjtë me Amerikën.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Agronin, Yllin dhe Mehmetin.

Kategoritë
LajmeVendi