Hoxhaj viziton spitalin në Ferizaj: Do t’i rrisim pagat për mjekët, do të ofrojmë sigurim shëndetësor dhe vaksinën anti-Covid për qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj, sot e ka prezantuar planin për Rimëkëmbje të shëndetësisë para menaxhmentit të Spitalit të Ferizajt dhe të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Hoxhaj ka thënë se prioritet i qeverisjes së tij është shëndetësia, derisa ka premtuar se do të ketë rritje të pagave për personelin shëndetësor për 30 përqind dhe sigurim shëndetësor për të gjithë qytetarët.

“Jemi shumë të vendosur që ta rrisim pagën në një përmasë që e tejkalon pritjen tuaj. Do të jetë një pagë shumë dinjitoze e cila do t’ju motivojë edhe më shumë që t’i shërbeni më tutje qytetarit të Kosovës, siç i keni shërbyer deri më tash”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka pasur kritika për qeverinë në detyrë për sa i përket vaksinës anti-Covid, e që tha se me të marrë drejtim e qeverisë, vaksinën do ta sigurojë për personelin shëndetësor dhe për qytetarët e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka prezantuar planin për shëndetësinë para personelit shëndetësor.

Ai tha se prioritet kanë pagat për mjekët e infermierët, si dhe sigurimin shëndetësor për qytetarët.

“Përveç investimeve në mjekësinë primare, hapi i dytë është si të krijohen kushte që ju, por edhe gjeneratat e reja të kenë një mirëqenie sociale. Duhet të ndihet dora e shtetit një ndër pjesët e programit tonë është, ajo që e kemi nisur në qeverinë e kaluar dhe fatkeqësisht kemi pasur të dy partitë opozitare kundër, rritja e pagave.”, ka thënë Ismaili.

Ismaili, tutje ka thënë se këtë herë, programi i PDK-së do të mundësojë rritje mbi atë që mund të pritet, në nivel të mjekësisë primare dhe mjekëve.

Personeli shëndetësor në Ferizaj kanë mirëpritur planin e PDK për shëndetësi, derisa kanë kërkuar të dinë edhe detaje shtesë rreth këtij programi.

Hoxhaj e Ismaili gjatë ditës në Ferizaj kanë mbajtur një takim edhe me infermierët e kësaj komune.

Kategoritë
LajmeVendi